Gorçeviq në samitin e Euronews: Mali i Zi nuk pranon anëtarësim të klasit të dytë në BE
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, tha në Bruksel se Mali i Zi synon anëtarësimin e plotë në vitin 2028 dhe refuzoi propozimin për një periudhë tranzicioni 15-vjeçare për anëtarët e rinj, duke pranuar vetëm masa mbrojtëse që forcojnë Unionin.
Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, deklaroi të martën në samitin e zgjerimit të Euronews në Bruksel se vendi i saj nuk do të pranojë anëtarësim të klasit të dytë në Bashkimin Evropian, ndërsa synon anëtarësimin që në vitin 2028, siç njofton Euronews.
Në një bisedë për Euronews, Gorçeviq u shpreh e bindur se të gjithë kapitujt negociues do të mbyllen këtë vit dhe se Mali i Zi, vendi më i përparuar në procesin e zgjerimit, mund të bëhet anëtari i 28-të i Unionit. Objektivin “28 anëtarë në vitin 2028” ajo e quajti ambicioz, por në realizim e sipër.
E pyetur për propozimin e një periudhe tranzicioni 15-vjeçare për shtetet e reja anëtare, të lidhur me masa mbrojtëse për sundimin e ligjit, ministrja tha se Mali i Zi kërkon anëtarësim të plotë: “Nuk duam anëtarësim të klasit të dytë brenda Bashkimit Evropian, sepse kjo nuk do të ishte e drejtë dhe nuk do të ishte anëtarësim i plotë”. Ajo shtoi se qeveria e saj nuk është kundër masave shtesë mbrojtëse, nëse ato shërbejnë për forcimin e Unionit dhe të anëtarësimit të ardhshëm.
Gorçeviq tha gjithashtu se shpreson që zgjedhjet e fundit në Serbi ta ndihmojnë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe se ndryshimi atje mund ta shtyjë rajonin në drejtimin e duhur.
Ajo përsëriti angazhimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Kroacinë për çështje të lidhura me luftërat ballkanike, duke thënë se Podgorica nuk dëshiron të grindet me Zagrebin, por t’i zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe, dhe se, sipas saj, mosmarrëveshjet kufitare nuk do të jenë pengesë për anëtarësimin e Malit të Zi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.