Greqia, përkrahje për proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim sot padite në Prishtinë, ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias.
Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi shefin e diplomacisë greke për përkrahjen e ofruar nga Greqia në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Duke e vlerësuar lartë rëndësinë e kësaj vizite të parë në nivel të ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e raporteve bilaterale ndërmjet dy vendeve, duke besuar se janë pjekur kushtet që këto marrëdhënie të avancohen më tej, si dhe e informoi ministri i Jashtëm grek Nikolaos Kotzias edhe për proceset aktuale në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria. Kryeministri Mustafa dhe ministri i Jashtëm grek Nikolaos Kotzias, shprehën vullnetin e dy vendeve për të punuar së bashku në avancimin e mëtejshëm të proceseve në shërbim të fuqizimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Ministri Kotzias theksoi përkrahjen e Greqisë për proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë ato të sigurisë, duke shprehur bindjen se këto procese do t’i shërbejnë stabilitetit në rajon, bën të ditur njoftimi dërguar nga Kryeministria kosovare.
Gjithashtu, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Kotzias Nikolaos, sot në Prishtinë takoi edhe zëvendëskryeministrin e ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi.