Hill për Specialen: E kuptoj mllefin e qytetarëve, shpresoj që së shpejti të apelohet vendimi
Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill ka komentuar reagimet pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe iniciativat që lidhen me të ardhmen e kësaj gjykate.
Në një lidhje në Euronews Albania, Hill tha se nuk është në pozitë të komentojë iniciativat për ndryshimin apo zhbërjen e Gjykatës Speciale, por theksoi se e kupton zemërimin dhe shqetësimin e qytetarëve pas vendimit.
“Nuk jam në pozitë për të komentuar këtë iniciativë apo iniciativa të tjera. E kuptoj që njerëzit ndjejnë mllef, janë të zemëruar, janë shumë të shqetësuar. E kuptoj, por unë shpresoj që së shpejti do të kemi përpjekjet që të apelojmë këtë vendim”, deklaroi Hill.
Ai sqaroi se nuk po fliste në emër të gjykatës dhe se qëndrimet e tij ishin personale.
“Edhe njëherë nuk e di si janë procedurat, por unë dua ta bëj të qartë. Nuk po flas nga gjykata dhe për gjykatën. Mund të flas vetëm në emrin tim dhe dëshmia ime ishte dëshmia më e mirë që mund të ofrohej, duke thënë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveçse të vërtetës”, tha ai.
Hill, i cili kishte dëshmuar në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka thënë se ishte i zhgënjyer dhe i befasuar nga vendimi i shkallës së parë. I pyetur nëse do të dëshmonte edhe në një procedurë eventuale të apelit, ai tha se deri më tani nuk i është kërkuar një gjë e tillë.
Duke folur më gjerësisht për situatën politike dhe gjeopolitike në Ballkan, ish-diplomati amerikan tha se fokusi duhet të jetë te ecja përpara dhe te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, duhet të vazhdohet puna e bërë ndër vite nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Unë mendoj se ne jemi këtu ku jemi dhe, për sa i përket politikës dhe gjeopolitikës së Ballkanit, duhet të kemi përpjekje që të ecim përpara, duke u mbështetur në punën që kanë bërë ndërmjetësues të ndryshëm gjatë këtyre viteve të fundit, dhe ai është normalizimi i marrëdhënieve”, deklaroi Hill.
Ai shtoi se Kosova dhe Serbia, pavarësisht dallimeve mes tyre, duhet të gjejnë mënyra për të ecur përpara dhe për të krijuar një perspektivë më të mirë për qytetarët.
“Serbia dhe Kosova gjithmonë do të gjenden në situata të atilla ku, nga ana strategjike apo gjeopolitike, nuk duhet të jenë larg njëra-tjetrës. Prandaj duhet të ketë një mënyrë që të ecin përpara, në mënyrë që të kenë një të ardhme më të mirë për popullin e tyre”, tha ai.
Hill pranoi se procedurat gjyqësore dhe vendimet e fundit kanë shkaktuar zhgënjim te qytetarët, por tha se, sipas tij, vëmendja duhet të drejtohet edhe te hapat që do të ndërmerren në vazhdim.
“Mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë dhe të konsiderojnë cilët janë hapat e radhës dhe duhet të përpiqen që të ecin përpara”, deklaroi Hill.
Gjykata Speciale në Hagë më 16 shtator 2026 shpalli vendimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, me dënime që arrijnë gjithsej në 81 vjet burgim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.