HUNGARI – Thesar i fshehur për mbi 2 mijë vjet, arkeologët zbulojnë mbi 200 monedha
– Mbi 200 monedha argjendi kelte, me një peshë totale prej më shumë se dy kilogramësh, janë zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike në Szombathely të Hungarisë, në kuadër të punimeve për ndërtimin e një nënstacioni të ri elektrik të kompanisë E.ON, shkruan corriere.it.
Monedhat u gjetën në një thellësi prej vetëm 30-40 centimetrash, duke nxjerrë në dritë një thesar që kishte qëndruar i fshehur për më shumë se dy mijë vjet, pavarësisht punimeve bujqësore të kryera ndër vite në këtë zonë.
Zbulimi u realizua nga arkeologët e Institutit Arkeologjik Kombëtar pranë Muzeut Kombëtar të Hungarisë, të cilët zhvilluan gërmime paraprake dhe kërkime gjatë punimeve të ndërtimit në periudhën 2023-2025.
Gjatë këtyre ndërhyrjeve u zbuluan edhe mijëra objekte të tjera me rëndësi arkeologjike.
Sipas studiuesve, monedhat datojnë nga fundi i shekullit II deri në fillim të shekullit I para Krishtit.
Ato janë tetradrahme, monedha me vlerën e katër dhrahmive, të cilat mendohet se janë prerë në zonën e Velem-Szentvid, rreth 15 kilometra larg vendit ku u gjetën.
Fillimisht, arkeologët identifikuan disa monedha të shpërndara në sipërfaqe, të cilat ishin zhvendosur ndër shekuj për shkak të punimeve bujqësore
. Përmes përdorimit të detektorëve të metaleve, ata arritën të përcaktonin vendndodhjen fillestare të thesarit, ku një pjesë e monedhave ishte ruajtur brenda një ene të vogël.
Zbulimi përbën një dëshmi të rëndësishme arkeologjike për praninë dhe aktivitetin e popullsive kelte në këtë pjesë të Evropës më shumë se dy mijëvjeçarë më parë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.