Hungaria pro hapjes, premton ndihmë për negociatat
Hungaria është një nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që bën avokatinë e Shqipërisë për nisjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ministri i Jashtëm hungarez hoqi dorë nga gjuha diplomatike kur tha qëndrimin e vendit të tij.
“Këshilli Europian duhet të mbështesë rekomandimin e Komisionit në dhjetor dhe bisedimet e pranimit duhet të nisin me Shqipërinë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse vendi është i përgatitur për këto negociata. Performanca e Shqipërisë flet vetë. Ne nuk shohim asnjë arsye për të shtyrë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit”, u shpreh Peter Szijjarto, ministër i Jashtëm i Hungarisë.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk e sheh ligjin e vettingut si një pengesë, përderisa procesi i reformës në drejtësi nuk mbaron në një ditë.
“Edhe sikur te ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ekspertët kanë përllogaritur se zbatimi i tij do të zgjase tre vjet”, deklaroi ai.
Në Tiranë, ministri i Jashtëm i Hungarisë mori mbështetjen e plotë të opozitës.
“I kërkuam që të bëjë gjithçka për mbështetjen e integrimit dhe nisjen e negociatave”, u shpreh kreu i PD, Lulzim Basha.
“Ne jemi të lumtur që kjo gjë bashkon vendin, që të dyja, edhe Qeveria, edhe opozita është në mbështetje të integrimit euro-atlantik”, tha kryediplomati hungarez.
Hungaria do të sjellë në shkurt pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë një diplomat që do të ndihmojë autoritetet shqiptare në përgatitjen për hapjen e negociatave, një proces i vështirë teknikisht.
Por më parë, Hungaria po lobon që të bindë edhe disa vende anëtare, nën efektin e lodhjes nga zgjerimi, që të mbështesin Shqipërinë në dhjetor.