Hyrja e Çarshisë do të ketë pamje të re pas ankesave të qytetarëve për pllakat e dëmtuara
Pllakat e thyera po zëvendësohen me pllaka të reja travertini, thotë kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Gropat dhe pllakat e thyera në hyrje të Çarshisë së Shkupit më në fund po sanohen, sipas Alsat.
Qytetarët komentojnë ndryshimet në këtë pjesë të Çarshisë, por shtojnë se ka edhe shumë gropa që duhet mbushur, e jo vetëm në hyrje të Çarshisë.
«Nëse nuk bëhet tërësisht siç duhet, atëherë përsëri do të shkatërrohet për dy apo tre javë. Sidomos në dimër, me shi e borë, do të shkatërrohet menjëherë», tha një qytetare.
«Duhet që gjithçka të rregullohet ku është dëmtuar, në tërë mundësitë e mjeteve që i ka qyteti. Mendoj se ka mjaft vizitorë dhe duhet rregulluar», tha një qytetare tjetër, ndërsa një qytetare u shpreh e shqetësuar nëse në dimër do të rrëshqasë kur të ketë borë.
Për fillimin e punimeve, kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka shkruar se ka pranuar disa ankesa nga qytetarët.
«Me të drejtë keni theksuar se pamja e parë që i pret shkupjanët dhe mijëra turistë duhet të jetë në nivelin e vendit ku po hyjnë. Pas vitesh neglizhence, në hyrje të Çarshisë, në të gjitha pjesët ku ka dëmtime, pllakat e thyera po zëvendësohen me pllaka të reja travertini. Me këtë ndryshim po zgjidhim një problem konkret për zejtarët, shkupjanët dhe vizitorët», tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Për problemin e pllakave të dëmtuara në hyrje të Çarshisë së Shkupit, Alsat kishte raportuar disa herë, duke pasqyruar ankesat e qytetarëve për gjendjen e kësaj hapësire. Me nisjen e punimeve, mbetet të shihet se sa shpejt do të përfundojë sanimi dhe nëse do të ketë ndërhyrje edhe në pjesët e tjera ku ka dëmtime në Çarshi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.