Iljazaj: Rama është penduar për Reformën në Drejtësi
Analisti Elvis Iljazaj gjatë diskutimit në studion e Euronews Albania analizoi ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj Reformës në Drejtësi, duke e cilësuar të gjithë nismën si një “reformë hipokrite” për interesat e politikanëve.
“Është një reformë e cila është bërë për politikanët, pasi politikanëve u ka vajtur drejtësia në derë. Kjo është e qartë fare si drita e diellit. Unë pashë një kryeministër të penduar për Reformën në Drejtësi atje në atë fjalim.
Është një reformë hipokrite, një reformë që po bëhet për politikanët dhe jo për qytetarët. Këta janë që flasin sot për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, që kanë futur njerëzit në burg se s’kanë paguar dritat në Shqipëri. Varfanjakë që s’kishin lekë të paguanin dritat i kanë futur në burg! Dhe sot, meqë u ka vajtur halli te dera e tyre, flasin për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të garancisë”, tha ai.
Analisti shton se kjo nismë nuk parashikon asnjë masë për shkurtimin e proceseve gjyqësore apo zgjidhjen e çështjeve të pronave të qytetarëve.
“Nuk shoh asgjë që të ndihmojnë gjykatat me logjistikë, nuk shoh asgjë që të përshpejtojnë dosjet që janë stivë atje nëpër gjykata. Asgjë nga këto nuk pashë unë te kjo reformë. Këto që vërtet i interesojnë qytetarëve”.
Iljazaj nënvizon se mazhoranca e cilësonte SPAK-un si suksesin më të madh vetëm kur arrestoheshin figurat e opozitës.
“Unë bëj këtë analizë politike: që kjo është një reformë e cila është bërë për politikanët, jo për qytetarët. Ta thashë dhe njëherë, ka ndonjë gjë te kjo reformë për dosjet stivë? S’ka asgjë! Ka ndonjë gjë kjo reformë për njerëzit që dergjen nëpër dyera për pronat e tyre nga 30 vjet? Po pse s’bëjnë një reformë për pronat këta në drejtësi për shembull, që të shkurtojnë proceset?
Këtu tani i ka vajtur drejtësia te dera njerëzve të pushtetshëm, të cilët kanë edhe avokatë të mirë, edhe para, edhe instrumenta, edhe media që mund të mbrohen.
Ajo që më intereson është që politika shqiptare bën reforma kur u preken hallet e tyre, jo hallet e qytetarëve. Unë nuk mund t’i besoj një politike e cila shqetësohet për liritë dhe të drejtat vetëm kur bëhet fjalë për politikanët”, tha Iljazaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.