Investimet në Zvërnec dhe Sazan, Rama: Të angazhuar në integrimin në BE, çdo projekt mjedisor në harmoni me standardet europiane
Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke respektuar në mënyrë strikte standardet dhe detyrimet që burojnë nga negociatat, veçanërisht nga Kapitulli 27 për mjedisin.
duke folur për vizitën e tij në Bochum të Gjermanisë në “Shënimet e Javës” dhe debatet e krijuara rreth çështjeve të investimeve në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, Rama tha se mbi këto çështje po hidhen një sërë keqinterpretimesh dhe “vorbulla dezinformuese” që, sipas tij, nuk pasqyrojnë realitetin e procesit.
Ai theksoi se Shqipëria nuk mund dhe nuk do të ndërmarrë asnjë hap që bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian, ndërsa çdo projekt i madh zhvillimor kalon përmes vlerësimeve të detajuara të ndikimit në mjedis dhe monitorimit institucional.
“E gjitha kjo është një vorbull që përzihet e përzihet për qëllime që janë qartësisht të tjera. Ne jemi të detyruar nga standardet e Bashkimit Europian të bëjmë vlerësimin e ndikimit në mjedis, gjë që po e bëjmë, dhe t’u përgjigjemi të gjitha kritereve të Kapitullit 27. Pra, siguresa për të gjithë ata që janë të shqetësuar është pikërisht Komisioni Europian, i cili deri më tani është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë alarm, sepse procesi po ecën në harmoni të plotë me monitorimin europian”, tha Rama.
Rama shtoi se qëllimi strategjik i Shqipërisë mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe se çdo vendimmarrje qeveritare është e orientuar drejt përmbushjes së këtij misioni.
Sipas tij, çdo projekt zhvillimor që diskutohet në publik nuk mund të shkëputet nga kuadri i negociatave, ku Kapitulli 27 dhe standardet mjedisore të BE-së janë një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit.
“U përballa me pyetje të tipit: “Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?”, gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t’u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje. Pra, as nuk është kërkuar ndonjë shitje e tokës publike. Pastaj, gjithë pjesa që ka të bëjë me zonat e mbrojtura, me Kapitullin 27, me sa jemi ne të vetëdijshëm apo çfarë jemi ne në gjendje të sakrifikojmë deri edhe vetë Bashkimin Europian, për të bërë projektin, është një hata e madhe logjike. Ndërkohë që historia është fare e thjeshtë. Cilido që e ka shumë të qartë ose e ka pak të qartë faktin që unë jam këtu për të udhëhequr Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, faktin që ne kemi një mandat popullor shumë të fortë për të realizuar këtë mision historik, faktin që ky mision historik nuk është i krahasueshëm dhe i barazvlefshëm me asgjë, e ka shumë të qartë edhe faktin që nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa, të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.