Kronika

Ish-komandoja do ndërtonte bombat për sulmin ndaj Izraelit në Shqipëri, merret në ‘mbrojtje’ prokurori

Medat Hasani një nga katër të arrestuarit si personat e dyshuar se do sulmonin me bombë dhe kallashnikovë ekipin e Izraelit, mendohet se ka qenë në luftimet e përgjakshme në Siri. Ka të dhëna se Hasani është kthyer nga këto luftime, duke përdorur rrugët tokësore.

Dyshimet e prokurorisë janë se ish-komandoja e Ushtrisë Shqiptare mund të ketë qenë pjesë e brigadave terroriste të ISIS, që drejtohen nga dy kosovarët Lavdërim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi.Në një raport operativ të SHISH dërguar prokurorisë thuhet se Medat Hasani, është larguar më 28.07.2013 drejt Sirisë dhe më është kthyer në Dhjetor 2013 në Shqipëri.

Një burim i tha gazetës “Shqiptarja.com” se Hasani dikur ka qenë efektiv i forcave speciale të ushtrisë, duke marrë pjesë në një mision ushtarak paqeruajtës në Irak. Në këtë mision, Hasani, ka shërbyer 6 muaj dhe më pas është kthyer së bashku me të gjithë anëtarët e grupit. Mirëpo, pas largimit nga ushtria ai ka rënë në kontakt me persona ekstremistë që predikojnë fenë islame, duke u indoktrinuar prej tyre që aftësitë e tij ushtarake ti zbatonte për të kryer krime terroriste.

Hasani besohet se kishte marrë përsipër të ndërtonte apo të siguronte minat me telekomandë, që do përdoreshin gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në stadiumin e Shkodrës. Plani ka qenë i njëjtë me atë që ndodhi në Paris një vit më parë, ku fillimisht terroristët kanë sulmuar me mina të telekomanduara, duke ngjallur panik dhe terror dhe më pas, anëtarët e tjerë kanë sulmuar civilë të pafajshëm më kallashnikovë. Mirëpo ky plan fatmirësisht nuk është vënë në zbatim, për shkak se zbulimi ushtarak i Izraelit ka arritur të përgjojë bisedat në “Skype” të Lavdërim Muhaxherit dhe Ridvan Haqifit, të cilët nga Siria urdhëronin Kosovarët dhe Shqiptarët që të sulmonin pa mëshirë izraelitët.

Sipas këtyre përgjimeve urdhri ishte miratuar nga drejtuesit e ISIS, dhe se do ishte kjo organizatë që pas kasaphanës që do shkaktonte, do merrte përsipër autorësinë e aktit terrorist. Këto informacione i kanë kaluar Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili falë strukturës antiterror dhe prokurorisë ka rënë në gjurmët e këtij grupi, duke arrestuar në Shqipëri 4 persona. Hetimet e kryera nga pala shqiptare kanë krijuar bindjen tek prokurorët se katër personat Xhezair Fishti, imam i vetëshpallur nga Dibra, Ergys Faslija berber, Medat Hasani, ish-komando i Ushtrisë Shqiptare dhe Bekim Protopapa mjek në Malësinë e Madhe, flisnin jo vetëm për të sulmuar të pafetë, Izraelitët, por edhe një burg të sigurisë së lartë, që sipas tyre mbahen të izoluar vëllezërit e tyre.

Pas arrestimit të katër personave dhe caktimin e masës së “arrestit në burg” ndaj të arrestuarve, reparti RESI i Policisë së Shtetit ka shtuar masat e sigurisë edhe për prokurorin e çështjes Eugen Beci.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button