“Ka ardhur koha për masa më të ashpra”: Picula kërkon fundin e tolerancës së BE-së ndaj Serbisë dhe Vuçiqit
Eurodeputeti kroat dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka kërkuar një ndryshim rrënjësor të qasjes së Bashkimit Evropian ndaj autoriteteve në Beograd, pas funeralit të Ratko Mlladiqit, të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Në një intervistë për programin “Dnevnik” të transmetuesit publik kroat HRT, Picula tha se funerali i Mlladiqit duhet të shërbejë si pikë kthese në marrëdhëniet e BE-së me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, Serbia po zgjedh rrugën e saj, por nëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të refuzojë revizionizmin historik dhe glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte.
“Funerali i kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, i cili u dënua përfundimisht për gjenocid, duhet ta ndryshojë rrënjësisht politikën e gjatë të Bashkimit Evropian për paqësim ndaj Aleksandar Vuçiqit”, tha Picula.
Ai kritikoi Komisionin Evropian dhe disa prej shteteve anëtare më me ndikim për mënyrën se si kanë trajtuar Beogradin, duke argumentuar se Serbia nuk mund të vazhdojë të konsiderohet partner i privilegjuar i Brukselit në Ballkanin Perëndimor.
“Udhëheqësit evropianë duhet më në fund të kalojnë nga faza e shokut në fazën e reagimit ndaj asaj që Vuçiq ka bërë prej vitesh. Imuniteti i tij nga sanksionet duhet më në fund të hiqet dhe politika e nënshtrimit ndaj regjimit duhet të hidhet poshtë”, deklaroi ai.
Picula e cilësoi “Serbinë e Vuçiqit” si një prej forcave kryesore destabilizuese në marrëdhëniet në Evropën Juglindore dhe tha se glorifikimi i Mlladiqit nuk mund të shihet si një çështje e izoluar nga zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon.
Ai foli edhe për reagimet në Bosnje dhe Hercegovinë pas funeralit, përfshirë njoftimin e ministrit të Jashtëm, Elmedin Konakoviq, për dëbimin e dy pjesëtarëve të Ambasadës së Serbisë, si dhe pjesëmarrjen e liderëve politikë nga Republika Srpska në ceremoninë mortore.
“Funerali i një krimineli të dënuar lufte duhet të ketë pasoja për marrëdhëniet në Evropën Juglindore, e cila ende nuk i ka kapërcyer as për së afërmi pasojat e agresionit. Bosnja dhe Hercegovina po hyn gjithashtu në një periudhë parazgjedhore dhe kjo po i shton karburant marrëdhënieve tashmë të tensionuara në vend”, tha Picula.
Sipas eurodeputetit kroat, në Parlamentin Evropian po rritet mbështetja për masa më të ashpra ndaj Serbisë. Përfaqësues të katër grupeve kryesore politike në PE i kanë kërkuar Komisionit Evropian të ndërmarrë veprime, ndërsa janë shtuar edhe thirrjet për ngrirjen ose pezullimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë.
Picula tha se disa eurodeputetë kanë kërkuar masa të tilla prej vitesh, ndërsa tash vëmendja është përqendruar te presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ai tha se do të ishte një sinjal i rëndësishëm nëse Von der Leyen, njësoj si komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, do ta anulonte vizitën e planifikuar në Beograd dhe do të përcaktonte qartë qëndrimin e saj ndaj autoriteteve serbe në fjalimin për Gjendjen e Unionit në Strasburg.
“Ka ardhur koha për të ndryshuar qartë situatën dhe për të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër regjimit në Beograd”, tha Picula.
I pyetur nëse ende ekziston hapësirë për diplomaci dhe nëse Beogradi mund të distancohet publikisht nga glorifikimi i Mlladiqit, Picula shprehu pesimizëm.
“Vuçiq kishte 12 vjet për të bërë atë që premtoi të bënte në Serbi. Asnjë nga këto nuk ndodhi. Është e vështirë të pritet që Vuçiq të ndryshojë diçka para ditës së zgjedhjeve. Hapësira për diplomaci po ngushtohet”, përfundoi ai.
Deklaratat e Piculës vijnë pas funeralit të Mlladiqit në Beograd, ku i dënuari me burgim të përjetshëm për gjenocid u përcoll me nderime, duke nxitur reagime të ashpra nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe thirrje për një rishikim të politikës së Brukselit ndaj Beogradit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.