Kandidati për ambasador të SHBA në Shqipëri zbulon prioritetet para Senatit: Do i mbështesim në luftën kundër korrupsion
Kandidati i presidentit amerikan Donald Trump për postin e ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbajtur fjalën e tij hapëse përpara Senatit amerikan, ku ka folur për eksperiencën e tij ushtarake, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe prioritetet që do të ketë nëse konfirmohet në detyrë.
Wendt tha se ndihet i nderuar nga besimi i Presidentit Trump për këtë pozicion, ndërsa kujtoi se prej më shumë se 34 vitesh i ka shërbyer Shteteve të Bashkuara si ushtarak.
“Jam i nderuar nga besimi i Presidentit Trump për këtë pozicion. Për më shumë se 34 vite kam shërbyer SHBA-ve si ushtar. Kam kaluar vite në këmbësori dhe si ‘Beretë e Gjelbër’”, deklaroi ai.
Ai bëri me dije se ka shërbyer edhe si pjesë e ambasadës amerikane në Jerusalem, duke raportuar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.
Gjatë fjalës së tij, Wendt foli edhe për familjen, duke treguar se bashkëshortja e tij ndodhet aktualisht në Okinawa të Japonisë për të ndihmuar me ardhjen në jetë të mbesës së tyre, ndërsa djali dhe nusja e tij gjithashtu i shërbejnë shtetit amerikan.
Kandidati për ambasador u ndal veçanërisht te bashkëpunimi me ushtrinë shqiptare gjatë misioneve të NATO-s dhe në Afganistan, duke vlerësuar lart trupat shqiptare.
“Gjatë drejtimit të forcave të NATO-s, trupat shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me ta në terren. Në Afganistan kam shërbyer me trupa shqiptarë. Trupat shqiptare kanë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeut dhe njerëzit shqiptarë janë mikpritës dhe punëtorë”, u shpreh Wendt.
Ai theksoi se nëse konfirmohet si ambasador në Shqipëri, një nga prioritetet kryesore do të jetë bashkëpunimi në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës.
“Do të eksplorojmë mënyra për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës që lidhet me kartelet latine, për të ndihmuar që Shqipëria dhe SHBA të jenë më të sigurta”, deklaroi ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.