“Kantata e Kafesë” solli humorin dhe muzikën e Bahut në parkun e Liqenit Artificial
Parku i Liqenit Artificial në Tiranë u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një skenë të muzikës klasike, ku publiku ndoqi koncertin “Kantata e Kafesë”, interpretimin në gjuhën shqipe të veprës satirike të kompozitorit të mirënjohur Johann Sebastian Bach.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Bah… Cafè!”, me mbështetjen e bashkisë Tiranë, duke ofruar një mbrëmje ku muzika klasike u ndërthur me interpretimin skenik, në një atmosferë të veçantë pranë natyrës.
Interpretimi i kësaj vepre të Bahut u mirëprit nga publiku, i cili pati mundësinë të përjetojë një format artistik që ndërthur humorin, teatrin dhe muzikën baroke.
Në realizimin e koncertit kontribuoi Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit e cila bëri të mundur zhvillimin e tij në ambientet e Parkut të Liqenit Artificial.
“Kantata e Kafesë”, është një kantatë e ashtuquajtur “profane” (jofetare) e kompozitorit Johann Sebastian Bach. Vepra satirike u shkrua mes viteve 1732–1734 për t’u interpretuar në Kafenenë Zimmermann nga Collegium Musicum i Lajpcigut, me libret të shkruar nga Picander. “Kantata e Kafesë” rrëfen historinë e një babai i cili përpiqet ta bindë vajzën e tij, Lieschen, të heqë dorë nga zakoni i pirjes së kafesë. Pavarësisht kërcënimeve të të atit se do t’i ndalojë shëtitjet, rrobat e reja dhe madje edhe martesën, Lieschen nuk pranon të heqë dorë nga pija e saj e preferuar, të cilën e quan “më të ëmbël se një mijë puthje”.
Në fund ajo pranon vetëm në dukje, ndërsa fshehurazi vendos që do të martohet vetëm me një burrë që do t’i garantojë të drejtën për të pirë kafe sa herë të dëshirojë. Vepra mbyllet me një mesazh humoristik se vajzat nuk do ta lënë kurrë zakonin e pirjes së kafesë, ashtu si nënat dhe gjyshet e tyre.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.