Karamuço zbardh historinë e fortë të Alket Rizait: E dinin në burg por e ndaluan në post-bllok
Eksperti Ervin Karamuço ka folur në “Now” për historitë e arratisjeve dhe profilin e Alket Rizait. Ai thekson se arratisjet spektakolare me helikopter kanë ndryshuar standardet e sigurisë në burgjet evropiane, duke sjellë vendosjen e rrjetave të sipërme në ambientet e ajrimit për të parandaluar ngjarje të ngjashme.
“Masat që u morën në rang evropian ishin vendosja e rrjetave të sipërme në ambientet e ajrimit. Ne nuk e kemi pasur këtë përpara. Ne tani e kemi vendosur më shumë për dronët, por helikopteri nuk është një gjë e pamundur edhe te 313 ose në burgje të tjera, sidomos në ato që kanë sheshe të hapura ku mundësia për të vajtur me një helikopter privat është e madhe. Standardet dhe rregullat e sigurisë mbi sigurinë kanë ndryshuar në nivel evropian”.
Karamuço shpjegon burgun ku qëndronte Rizai, një ambient me kushte mjaft të rënda, por nga ana tjetër, me një hapësirë që bën të mundur lehtësisht hyrjen e një helikopteri për arratisje.
“Koridhalosi ishte burgu ku u arratis Alket Rizaj. Është burgu më famkeq ku shkelen çdo ditë të drejtat e njeriut. Ka një mbingarkesë të jashtëzakonshme.
Të gjithë këta komisionerë të të drejtave të njeriut, qoftë të OKB-së apo Këshillit të Evropës, kanë thënë që aty ka një torturë ç’njerëzore mënyra se si trajtohen, jo vetëm shqiptarët.
Është në zonën e sipërme të Pireut, pra nuk është tamam në Athinë. Dhe ishte një burg me një sipërfaqe të madhe që kishte shumë afër një helioport, nëpërmjet të cilit helikopteri mbërriti shumë shpejt. Sepse është edhe problemi i interceptimit: Ku po fluturon? Pse fluturon kaq ulët? e të tjerë. Ai e bëri shumë shpejt xhiron, u ul. Ndërkohë që Alket Rizajn po e merrnin, qëlloheshin kullat e vrojtimit të policisë dhe çdo gjë mbaroi.
Po edhe në këtë rast, shërbimet sekrete greke hetuan policinë sepse dyshonin që ishin marrë lekë diku për të favorizuar këtë arratisje. Dhe sigurisht aty u pa dhe një lidhje e tij e ngushtë me botën kriminale greke, sepse ai u ndihmua së bashku me një kryemafioz grek të asaj kohe”, tha Karamuço.
Më tej, eksperti shton se autoritetet greke kanë ngritur post-blloqe masive në autostrada dhe po kontrollojnë mjetet lundruese. Sipas Karamuços, kthimi ose kapja e tij nga policia greke është vetëm çështje kohe.
“Ai nuk është shumë i sigurt jashtë burgut sepse ka dhe grupe rivale të cilat kanë kërkuar prej kohësh kokën e tij. Megjithatë është çështje kohe përpara se ai të rikthehet.
E gjithë Greqia është në një alarm të madh tani sepse kufijtë po kontrollohen, ka post-blloqe në Athinë dhe në qytete të tjera kryesore, sidomos në autostradën drejt Selanikut. Mendohet se mund të shkojë në Lindjen e Mesme me anije lundrimi, meqë janë me mijëra anije në Greqi dhe mund të jetë i fshehur në to. Kishte një sërë alternativash se si ai person mund të largohet dhe të shkojë në një vend të sigurt.
Megjithatë unë mendoj që do të kthehet shumë shpejt. Policia greke ka një qasje tjetër të sigurisë, interceptimit dhe inteligjencës të cilën ne nganjëherë duhet ta ndjekim sepse është goxha e fortë”, tha Ervin Karamuço.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.