Kasami inspekton punimet në rrugën Tetovë–Prizren: Projekt strategjik për lidhjen me Kosovën
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka inspektuar nga afër punimet që po zhvillohen në trasenë e rrugës Tetovë–Prizren, duke vlerësuar se realizimi i projektit po ecën sipas dinamikës së planifikuar.
Kasami theksoi se punimet po kryhen me përkushtim të plotë dhe në përputhje me standardet e përcaktuara për këtë projekt të rëndësishëm infrastrukturor.
“Sot inspektova nga afër punimet që po zhvillohen në trasenë e rrugës Tetovë–Prizren. Punimet po realizohen sipas dinamikës së paraparë dhe me përkushtim të plotë për të përmbushur standardet e përcaktuara për këtë projekt të rëndësishëm”, ka deklaruar Kasami.
Sipas tij, rruga Tetovë–Prizren paraqet një investim strategjik jo vetëm për Tetovën, por edhe për të gjithë rajonin, pasi do të mundësojë lidhje më të shpejta dhe më të sigurta ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Kasami vlerësoi se përveç përmirësimit të komunikacionit, projekti pritet të krijojë edhe mundësi të reja për zhvillim ekonomik, shkëmbime tregtare dhe bashkëpunim më të madh rajonal.
“Kjo rrugë është një investim strategjik për Tetovën dhe gjithë rajonin, duke krijuar lidhje më të shpejta dhe më të sigurta me Kosovën dhe duke hapur mundësi të reja për zhvillim ekonomik”, theksoi ai.
Rruga Tetovë–Prizren konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për lidhjen e dy vendeve dhe pritet të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave ndërmjet dy anëve të kufirit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.