Këshilli i BE-së i jep dritën jeshile nënshkrimit të marrëveshjeve tregtare dhe të investimeve me Indonezinë
Këshilli i Bashkimit Evropian autorizoi të mërkurën nënshkrimin dhe zbatimin e përkohshëm të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Ekonomik (CEPA) dhe të Marrëveshjes për Mbrojtjen e Investimeve (IPA) me Indonezinë, ekonominë më të madhe të Azisë Juglindore. Të dyja marrëveshjet, siç njofton Këshilli i BE-së, forcojnë lidhjet ekonomike me një partner strategjik kyç në Indo-Paqësor dhe janë pjesë e përpjekjeve të Unionit për të diversifikuar marrëdhëniet tregtare dhe për ta bërë ekonominë e tij më të qëndrueshme.
“Me një popullsi prej më shumë se 280 milionë banorësh, Indonezia përfaqëson një nga tregjet më të rëndësishme të rritjes në botë. Këto marrëveshje do ta bëjnë më të lehtë për bizneset evropiane të tregtojnë dhe të investojnë, do të heqin tarifat për pothuajse të gjitha mallrat e tregtuara midis BE-së dhe Indonezisë dhe do t’u kursejnë bizneseve rreth 600 milionë euro në vit në tarifa doganore”, deklaroi ministrja irlandeze e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Helen McEntee, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së Këshillit.
Sipas marrëveshjes CEPA, kur ajo të zbatohet plotësisht, deri në 98.5% e linjave tarifore do të liberalizohen, ndërsa 96% e tarifave indoneziane do të zhduken brenda pesë vjetësh. Tarifat indoneziane për eksportet evropiane të automjeteve, që sot arrijnë deri në 50%, do të eliminohen brenda pesë vjetësh, ndërsa për sektorin agroushqimor evropian, që eksporton rreth 1 miliard euro në vit në Indonezi, do të hiqen tarifat për shumicën e produkteve dhe do të mbrohen 221 tregues gjeografikë evropianë. Sektorët e ndjeshëm bujqësorë të BE-së, si orizi, sheqeri dhe etanoli, mbeten të mbrojtur dhe jashtë liberalizimit. Marrëveshja IPA, nga ana e saj, garanton mbrojtje kundër shpronësimit të paligjshëm, trajtim të drejtë e të barabartë dhe transferim të lirë të pagesave të lidhura me investimet.
Negociatat për CEPA-n nisën në korrik 2016 dhe përfunduan më 23 shtator 2025. Tregtia dypalëshe e mallrave mes BE-së dhe Indonezisë arriti në 28.9 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa ajo e shërbimeve në 9.3 miliardë euro në vitin 2024.
Tani marrëveshjet do të nënshkruhen nga të dyja palët dhe më pas do t’i dërgohen Parlamentit Evropian për pëlqim, përpara vendimeve të Këshillit për përfundimin dhe hyrjen e tyre të plotë në fuqi. Të dyja palët synojnë zbatim sa më të shpejtë, sepse më 1 janar 2027 Indonezia del nga skema e përgjithësuar e preferencave të BE-së dhe eksportet e saj nuk do të përfitojnë më tarifa preferenciale. Deri në hyrjen në fuqi, marrëveshjet do të zbatohen përkohësisht sapo palët të njoftojnë përfundimin e procedurave të brendshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.