KIEV – Inteligjenca ukrainase: Rusia planifikon të mobilizojë 600 mijë ushtarë në 2026 dhe 2027
– Rusia po përgatitet të mobilizojë edhe 600 mijë ushtarë gjatë viteve 2026 dhe 2027, sipas inteligjencës ukrainase, raportoi “Euronews”.
Drejtoria kryesore e Inteligjencës së Ukrainës dhe Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme ukrainase thonë se Moska ka vendosur të thërrasë për mobilizim 300 mijë persona këtë vit dhe 300 mijë të tjerë në vitin 2027.
Sipas Kievit, vendimi lidhet me humbjet e mëdha të ushtrisë ruse në front, humbjen e iniciativës ushtarake dhe rënien e ndjeshme të numrit të personave që regjistrohen vullnetarisht në ushtrinë ruse përmes kontratave.
Inteligjenca ukrainase pret që Rusia ta shpallë mobilizimin e ri pas zgjedhjeve të shtatorit.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, humbjet totale ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt 2022, kanë kaluar 1,4 milionë ushtarë të vrarë dhe të plagosur.
Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, inteligjenca ukrainase vlerëson se Rusia ka humbur rreth 240 mijë ushtarë, prej të cilëve 140 mijë janë vrarë ose kanë marrë plagë të rënda.
Në të njëjtën periudhë, rreth 232 mijë persona kanë nënshkruar kontrata me ushtrinë ruse.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, deklaroi në korrik se një rekrut rus, mesatarisht, vritej ose plagosej në fushën e betejës brenda 20 deri në 30 minutave nga mbërritja në front.
Sipas “Euronews”, mobilizimi i ri do të përbënte valën e dytë të madhe të mobilizimit të detyruar të Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë./



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.