KLIMË – Nëntë sëmundjet mm që përkeqësohen nga temperaturat ekstreme
ROMË, 2 korrik/ATSH- AA/ – E quajnë valë të nxehti sepse ngjajnë pikërisht me një valë që na përfshin dhe shfrytëzon dobësitë tona, shkruan salute.eu.
Nxehtësia ekstreme, për shembull, rrit temperaturën e trupit, përshpejton rrahjet e zemrës, vështirëson frymëmarrjen, shkakton dehidrim dhe mund të nxisë ankthin e depresionin.
Vapa mbytëse, me të cilën duket se do të duhet të mësohemi dhe që këto ditë ka përfshirë gjithë Italinë, është ajo që çon temperaturat mbi 40°C dhe e mbush ajrin me lagështi.
Temperaturat në rritje kanë bërë që numri i qyteteve italiane me alarm të kuq të rritet nga 12 në 15.
Ky është niveli më i lartë i alarmit (niveli 3), që do të thotë se ekziston një situatë emergjente me pasoja të mundshme për shëndetin jo vetëm të të moshuarve, fëmijëve të vegjël dhe personave me sëmundje kronike, por edhe të njerëzve të shëndetshëm dhe aktivë.
Me pak fjalë, rrezikohen të gjithë, por mbi të gjitha ata që kanë tashmë një gjendje të brishtë shëndetësore.
Kush rrezikon më shumë?
Pamjen e situatës e përshkruan Francesco Dentali, profesor i mjekësisë së brendshme dhe president i Federatës Italiane të Mjekëve Internistë (FADOI).
“Në Itali kemi një popullsi shumë të moshuar. Tashmë një në katër qytetarë është mbi 65 vjeç dhe një pjesë e madhe e tyre vuan nga sëmundje kronike si insuficienca kardiake, sëmundjet kronike të veshkave dhe bronkopatitë kronike. Shumë persona vuajnë njëkohësisht nga dy ose më shumë sëmundje kronike”, thekson ai.
Ai shton se në këtë situatë, nxehtësia ekstreme prish ekuilibrin normal të organizmit, duke përkeqësuar gjendjen e pacientëve që tashmë janë të brishtë.
Çfarë ndodh në organizëm kur bën shumë vapë?
Stresi termik e detyron zemrën të pompojë më shumë gjak dhe zgjeron enët e gjakut në lëkurë për të shpërndarë nxehtësinë. Kjo rrit ndjeshëm ngarkesën mbi zemrën.
Po ashtu shtohet rreziku i dehidrimit, sidomos te pacientët që marrin diuretikë.
Te personat me sëmundje kronike të veshkave bëhet shumë më e vështirë ruajtja e ekuilibrit të ujit dhe mineraleve si natriumi dhe kaliumi. Dehidrimi ul më tej aftësinë filtruese të veshkave, duke penguar eliminimin e mbetjeve nga organizmi.
Përveç kësaj, temperaturat e larta përkeqësojnë cilësinë e ajrit dhe rrisin ndotjen me grimca të imëta, duke shtuar rrezikun e krizave të rënda te personat me astmë dhe bronkopneumopati kronike obstruktive (BPOK).
Ankthi dhe depresioni
Vapa ndikon edhe në shëndetin mendor.
Sipas Dentali-t, temperaturat e larta ndryshojnë funksionimin e trurit dhe të qendrave që rregullojnë temperaturën e trupit.
Kjo mund të përkeqësojë ankthin dhe depresionin.
Situata rëndohet edhe më shumë nga ndërveprimi me ilaçet psikiatrike dhe mungesa e gjumit cilësor gjatë netëve të nxehta.
Nëntë sëmundjet që mund të përkeqësohen nga vapa
1. Sëmundjet e zemrës
Kur temperatura rritet, organizmi dërgon më shumë gjak drejt lëkurës për të larguar nxehtësinë..
Zemra duhet të punojë më fort dhe kjo mund të jetë e rrezikshme për personat me sëmundje të arterieve koronare. Si pasojë rritet rreziku për infarkt ose goditje në tru.
2. Diabeti
Ditët shumë të nxehta lidhen me më shumë shtrime në spital si për diabetin e tipit 1, ashtu edhe për tipin 2.
Nxehtësia mund të shkaktojë luhatje të sheqerit në gjak. Nga njëra anë, insulina mund të përthithet më shpejt, duke shkaktuar hipoglicemi.
Nga ana tjetër, dehidrimi rrit përqendrimin e glukozës në gjak, duke favorizuar hipergliceminë.
3. Skleroza multiple
Te personat me sklerozë multiple, rritja e temperaturës së trupit mund të përkeqësojë simptomat. Ky fenomen njihet si fenomeni Uhthoff.
Nxehtësia pengon transmetimin e impulseve nervore dhe mund të rrisë lodhjen, dobësinë muskulore, mpirjen dhe vështirësitë në përqendrim.
4. Astma dhe BPOK
Jo vetëm ajri i ftohtë, por edhe ai i nxehtë dhe i lagësht irriton rrugët e frymëmarrjes.
Temperaturat e larta shoqërohen me më shumë vizita në urgjencë, shtrime në spital dhe përkeqësime të astmës dhe BPOK-ut, pasi ajri i nxehtë ngushton rrugët e frymëmarrjes.
5. Lupusi
Personat me lupus janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj vapës.
Temperaturat e larta dhe lagështia mund të rrisin inflamacionin në organizëm, duke shtuar dhimbjet dhe ënjtjen e kyçeve, si edhe lodhjen.
6. Problemet e veshkave
Vapa rrit rrezikun për gurë në veshka, sepse dehidrimi e bën urinën më të përqendruar dhe favorizon formimin e kristaleve.
Gjithashtu, ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të larta mund të përshpejtojë përkeqësimin e funksionit të veshkave te pacientët me sëmundje kronike renale.
7. Artriti
Temperaturat e larta, sidomos kur shoqërohen me lagështi, mund të shtojnë inflamacionin dhe dhimbjen te personat me osteoartrit dhe përdhes.
Dehidrimi rrit përqendrimin e acidit urik në gjak, duke favorizuar formimin e kristaleve në nyje dhe përkeqësimin e krizave të përdhesit.
8. Ankthi dhe depresioni
Ditët shumë të nxehta lidhen me rritjen e rasteve që paraqiten në urgjencë për probleme të shëndetit mendor dhe madje edhe me rritjen e numrit të vetëvrasjeve.
Nxehtësia aktivizon mekanizmat e stresit në organizëm, krijon ndjesinë e mungesës së kontrollit, prish gjumin dhe përkeqëson gjendjen psikologjike.
Për më tepër, disa antidepresivë mund të rrisin rrezikun e dehidrimit dhe mbinxehjes së trupit.
9. Migrena
Studimet nuk japin ende një përgjigje përfundimtare, por ndryshimet e temperaturës dhe të presionit atmosferik mund të shkaktojnë kriza migrene.
Gjatë verës, nxehtësia rrit ndotjen e ajrit pranë tokës, ndërsa drita e fortë e diellit mund të aktivizojë nervat që lidhen me dhimbjen migrenoze.
Edhe dehidrimi është një nga faktorët kryesorë që mund të nxisë ose të përkeqësojë një krizë migrene.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.