Politika

Kodheli: Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e vet për iniciativa të reja

dddMinistrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli mori pjesë në punimet e ditës së parë të Ministerialit të Mbrojtjes, që po zhvillohet në Bruksel, ku u trajtuan dhe u morën vendime mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Gjatë kësaj dite, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, diskutuan veçanërisht mbi parimet bazë të ndërtimit të konceptit të ri të NATO-s për frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjen. Gjithashtu u bë dhe një përditësim mbi implementimin e Planit të Veprimit të Gatishmërisë (RAP) të NATO-s, si dhe u shpërnda një informacion njohës mbi investimet e Mbrojtjes.

“Shqipëria mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e vet në ndërtimin e një mbrojtjeje moderne dhe efikase të NATO-s, për të luftuar rreziqet aktuale dhe ato të ardhshme. Në pritje të zhvillimit të Samitit të Varshavës, duhet të synojmë një qasje të re për mbrojtjen e Aleancës, ku një nga shtyllat më të rëndësishme mbetet zbatimi i Planit të Veprimit për Gatishmërinë”, nënvizoi ministrja Kodheli në ndërhyrjen e saj në këtë pikë, e cila solli në vëmendje rritjen e Buxhetit të Mbrojtjes për vitin 2016 si një tregues pozitiv për vendin tonë dhe që mbështet  vendimet e marra në Samitin e Uellsit. “Këto para do të përdoren në mënyrë efikase, në veçanti për rritjen e kapaciteteve dhe modernizimit të Forcave të Armatosura”,-tha znj. Kodheli.

Në mbyllje, ajo nënvizoi se vendi ynë do të vijojë të luajë një rol aktiv në Aleancë duke mbështetur kontributet në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë, mbajtjen e niveleve të larta të plotësimit të pozicioneve në strukturën komanduese të NATO-s dhe forcës së saj, rritjen e bashkëpunimit ndërqeveritar për përgatitjen e emergjencave civile, zhvillimin e kapaciteteve, në harmoni me Procesin e Planifikimit të Mbrojtjes të NATO-s (NDPP) etj.

Gjithashtu ministrat e Mbrojtjes, në praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe një grupi partnerësh (Enhanced Opportunity Partners) Australi, Finlandë, Gjeorgji, Jordani dhe Suedi, u adresua mënyra dhe mjetet e nevojshme për të rritur ndërveprimin ndërmjet NATO-s dhe partnerëve të saj. Në këtë drejtim, ministrat ndanë të njëjtin mendim mbi sfidat e sigurisë dhe kërkuan më shumë kujdes për rreziqet komplekse që burojnë nga drejtimi jugor i NATO-s.

Së fundmi, partnerët u shprehën të gatshëm për të rritur bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, ku u përmend lufta hibride si dhe paketat e ndërtimit të kapaciteteve të mbrojtjes për vendet në nevojë.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes, u ndal në mundësitë e mëdha për një bashkëpunim në rritje, me grupin e larmishëm të partnerëve të NATO-s. Si element kryesor, ajo theksoi shkëmbimin e informacionit dhe ekspertizës mbi luftën hibride, si dhe angazhimin në mbështetjen e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, me paketa individuale për ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes. “Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e vet për iniciativa të reja, siç po bën aktualisht në disa vende të tjera partnere si Gjeorgjia dhe Ukraina”,- mbylli fjalën e saj znj. Kodheli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button