KOMENT – Merz përballë testit politik, rritja e AfD-së trondit ekuilibrat në Gjermani
– Zgjedhjet rajonale të shtatorit po shtojnë presionin mbi kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe koalicionin e tij qeverisës, ndërsa forca e partisë së djathtë AfD po rritet dhe ekuilibri tradicional politik në Gjermani, po vihet gjithnjë e më shumë në provë, sipas “Reuters”.
Goditja e parë e fortë erdhi më 6 shtator në landin lindor të Saksoni-Anhaltit, ku Alternativa për Gjermaninë (AfD) fitoi 43,8% të votave, më shumë se dyfishi i rezultatit të CDU-së së Merz, e cila mori 17,2%.
AfD siguroi 39 nga 83 vendet në parlamentin rajonal, duke mbetur vetëm tre mandate larg shumicës absolute.
Rezultati përbën një humbje të rëndësishme për CDU-në, në një land ku partia kishte qenë forcë dominuese për vite me radhë.
Vetë Merz e cilësoi rezultatin si një nga humbjet më të rënda të CDU-së në dekada, por deklaroi se nuk kishte ndërmend të tërhiqej dhe se do të vazhdonte me programin e tij të reformave.
Dy zgjedhje të tjera në qendër të vëmendjes
Testi i radhës zhvillohet më 20 shtator, kur qytetarët votojnë në dy lande: Mecklenburg-Vorpommern dhe Berlin.
Në Mecklenburg-Vorpommern, sondazhet e fundit e nxjerrin AfD-në në avantazh, ndërsa CDU rrezikon të marrë një rezultat shumë të ulët.
Një sondazh i institutit INSA e vendoste AfD-në në 37%, SPD-në në 35%, ndërsa CDU-në vetëm në 7%.
Në Berlin, zgjedhjet zhvillohen gjithashtu në një klimë të vështirë për CDU-në, ndërsa AfD synon të rrisë ndjeshëm praninë e saj politike.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk përcaktojnë drejtpërdrejt qeverinë federale, por mund të ndikojnë në klimën politike në Berlin dhe në marrëdhëniet brenda koalicionit CDU
AfD në rritje, CDU dhe SPD nën presion
Forcimi i AfD-së po shoqërohet me rënie të mbështetjes për partitë tradicionale.
Sipas sondazhit të “DeutschlandTREND” të shtatorit, AfD ishte në 27% në nivel kombëtar, CDU/CSU në 21%, të Gjelbrit në 15%, SPD në 13% dhe Die Linke në 12%.
Vetëm 15% e të anketuarve shpreheshin pozitivisht për punën e koalicionit qeverisës, ndërsa 84% ishin të pakënaqur.
Çështjet ekonomike, kostoja e jetesës, pensionet, emigracioni dhe pasiguria për të ardhmen janë ndër temat që po ndikojnë në qëndrimet e votuesve.
Analizat e fundit vënë në dukje se AfD ka zgjeruar bazën e saj të mbështetjes përtej çështjes së emigracionit, duke përfshirë edhe shqetësimet për ekonominë dhe zhvillimin industrial.
Presioni mbi Merz
Pas rezultatit në Saksoni-Anhalt, në CDU janë shfaqur zëra kritikë ndaj drejtimit të partisë, ndërsa në Gjermani është rikthyer debati për të ardhmen politike të kancelarit.
Megjithatë, Merz ka deklaruar se fokusi i tij mbetet zbatimi i programit të qeverisë dhe forcimi i ekonomisë gjermane.
Ai gjithashtu ka theksuar se çështjet e sigurisë së Evropës dhe mbështetja për Ukrainën janë prioritete që nuk duhet të zëvendësohen nga debati i brendshëm për të ardhmen e tij politike.
Zgjedhjet e 20 shtatorit në Mecklenburg-Vorpommern dhe Berlin pritet të japin një tjetër tregues për raportin e forcave politike në Gjermani dhe për presionin që po përjeton qeveria e Merz. /


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.