☁️
Tiranë 21°C · Vranët 12 Nëntor 2026
S&P 500 7,626 ▲0.09%
DOW 52,615 ▲0.24%
NASDAQ 25,458 ▼0.03%
NAFTA 87.64 ▲1.28%
ARI 3,881 ▼2.99%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1113 EUR/GBP 0.8359 EUR/CHF 0.9233 EUR/ALL 90.7783 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5849 EUR/TRY 55.8128 EUR/JPY 177.23 EUR/CAD 1.5815 EUR/USD 1.1113 EUR/GBP 0.8359 EUR/CHF 0.9233 EUR/ALL 90.7783 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5849 EUR/TRY 55.8128 EUR/JPY 177.23 EUR/CAD 1.5815
₿ CRYPTO
BTC $71,849 ▼ -3.5% ETH $2,015 ▼ -3.56% XRP $1.0294 ▼ -3.61% SOL $81.6000 ▼ -4.32%
S&P 500 7,626 ▲0.09 % DOW 52,615 ▲0.24 % NASDAQ 25,458 ▼0.03 % NAFTA 87.64 ▲1.28 % ARI 3,881 ▼2.99 % S&P 500 7,626 ▲0.09 % DOW 52,615 ▲0.24 % NASDAQ 25,458 ▼0.03 % NAFTA 87.64 ▲1.28 % ARI 3,881 ▼2.99 %
EUR/USD 1.1113 EUR/GBP 0.8359 EUR/CHF 0.9233 EUR/ALL 90.7783 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5849 EUR/TRY 55.8128 EUR/JPY 177.23 EUR/CAD 1.5815 EUR/USD 1.1113 EUR/GBP 0.8359 EUR/CHF 0.9233 EUR/ALL 90.7783 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5849 EUR/TRY 55.8128 EUR/JPY 177.23 EUR/CAD 1.5815
12 Nën 2026
Breaking
Bota

KOMENT – Nga qiratë e papërballueshme te protestat masive, Spanja përballet me një krizë sociale

MADRID, 12 nëntor /ATSH-AFP/- Spanja u përfshi nga protesta masive dhe përplasje mes demonstruesve dhe policisë, gjatë grevës së parë të përgjithshme në vend që prej vitit 2012.

Qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar strehim më të përballueshëm, uljen e çmimeve të qirave dhe përmirësimin e fuqisë blerëse.

Greva 24-orëshe u zhvillua dje, më 11 nëntor, në një kohë kur vendi po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 nëntorit.

Ajo u mbështet nga sindikatat kryesore dhe organizatat e qiramarrësve, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve, për të frenuar rritjen e kostos së banesave.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve, rreth 120 mijë persona protestuan në Madrid dhe 55 mijë të tjerë në Barcelonë, ndërsa tubime u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit.

Pas përfundimit të marshimeve, në Madrid dhe Barcelonë shpërthyen përplasjet mes grupeve të demonstruesve dhe policisë.

Persona të maskuar hodhën objekte drejt forcave të rendit dhe u vunë zjarrin koshave të mbeturinave dhe sendeve të tjera në rrugë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe armë që qëllojnë me plumba gome, për të shpërndarë grupet e dhunshme.

Në Barcelonë u arrestuan 18 persona, ndërsa raportime të tjera për arrestime u regjistruan edhe në Madrid dhe qytete të tjera.

Sipas agjencisë “Reuters”, në total u raportuan 115 arrestime në të gjithë vendin gjatë zhvillimeve të lidhura me grevën dhe protestat.

Greva prek transportin dhe industrinë

Sindikatat UGT dhe CCOO e cilësuan grevën një sukses, duke raportuar pjesëmarrje të lartë në disa sektorë, veçanërisht në industrinë e automobilave, porte, transport, petrokimi dhe përpunimin e mishit.

Sipas organizatorëve, më shumë se tre milionë punonjës iu bashkuan grevës, ndërsa sindikatat raportuan pjesëmarrje të konsiderueshme, edhe në disa prej fabrikave dhe porteve kryesore të vendit.

Greva shkaktoi ndërprerje të transportit publik, anulime të trenave dhe bllokime të rrugëve.

Operacionet u pezulluan në disa porte dhe fabrika, ndërsa shërbimet hekurudhore dhe ato ajrore u prekën nga protestat.

Kompania shtetërore hekurudhore “Renfe” njoftoi anulimin e 24% të trenave, të planifikuar për distanca të gjata dhe shërbime me shpejtësi të lartë.

Ndërkohë, në Madrid, përdorimi i autobusëve publikë ra ndjeshëm gjatë orëve të para të ditës.

Megjithatë, organizata e punëdhënësve CEOE e cilësoi grevën një dështim, duke deklaruar se pjesa më e madhe e sektorëve ekonomikë vijoi aktivitetin normal.

Sipas saj, pjesëmarrja ishte e ulët në shumë zona dhe ndikimi ekonomik më i kufizuar se në grevat e mëparshme.

Kriza e strehimit, në qendër të protestave

Protestat janë nxitur nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave dhe qirave, që po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për familjet dhe të rinjtë të sigurojnë një strehë të përballueshme.

Në Madrid, demonstruesit marshuan mes shiut të rrëmbyeshëm, duke mbajtur pankarta në formën e shtëpive dhe duke brohoritur “Nuk kemi shtëpi”.

“Punohet shumë, por nuk mjafton për të paguar qiranë apo për të blerë një shtëpi”, tha për AFP-në Paula Diaz, 25 vjeçe, një teknike teatri që jeton ende me prindërit.

Në Barcelonë, ku rreth 55 mijë persona marshuan përgjatë rrugës tregtare “Passeig de Gracia”, protestuesit kërkuan rregullimin e çmimeve të qirave.

“Ligji i ofertës dhe kërkesës nuk mund të zbatohet në këtë mënyrë për strehimin”, deklaroi Maria Pinana, 34 vjeçe, e cila jeton me tre miq në një apartament ku një pjesë e tavanit është dëmtuar.

Organizatat e qiramarrësve kërkojnë masa për kufizimin e dëbimeve të familjeve në vështirësi, ngrirjen e qirave dhe kontrollin më të fortë të përdorimit të banesave për qira afatshkurtra turistike.

Pakënaqësia u rrit ndjeshëm në shtator, pas dëbimit nga banesa të një pensionisteje 87-vjeçare në Madrid, e cila kishte jetuar aty për më shumë se shtatë dekada.

Ngjarja nxiti një valë protestash dhe mobilizimi në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave të cituara nga mediet, gjatë dekadës së fundit qiratë në Spanjë, janë rritur me rreth 80%, ndërsa çmimet e banesave me 63%.

Përplasjet politike para zgjedhjeve

Greva zhvillohet vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të parakohshme të 29 nëntorit, të shpallura nga kryeministri socialist, Pedro Sánchez, pasi qeveria e tij nuk arriti të sigurojë mbështetjen parlamentare, për një paketë masash që synonte përballimin e krizës së strehimit.

Çështja e banesave është kthyer në një nga temat kryesore të fushatës zgjedhore, ndërsa sondazhet parashikojnë një fitore të opozitës së djathtë.

Sánchez ka shprehur mbështetje për të drejtën e punonjësve për grevë dhe ka vlerësuar rolin historik të sindikatave, në përmirësimin e kushteve të punës dhe shërbimeve publike.

Nga ana tjetër, partitë e djathta dhe grupet e biznesit e kanë kritikuar grevën, duke e cilësuar atë si një veprim me prapavijë politike përpara zgjedhjeve.

Sindikatat kanë këmbëngulur se protesta nuk drejtohet vetëm kundër një force politike, por ndaj të gjitha niveleve të qeverisjes, për shkak të mungesës së masave konkrete për të frenuar rritjen e kostos së strehimit.

Përveç krizës së banesave, qytetarët përballen edhe me rritjen e kostos së jetesës.

Inflacioni arriti në 4,9% në shtator dhe tetor, nivelin më të lartë në më shumë se tre vjet.

Greva dhe protestat e fundit, kanë rikthyer në qendër të debatit politik një nga problemet më të ndjeshme sociale në Spanjë, ndërsa kriza e strehimit pritet të mbetet një çështje vendimtare në zgjedhjet e ardhshme. /

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.