Komisioni Evropian nuk do të vendosë kufizime në të drejtën e vetos së Malit të Zi
Komisioni Evropian nuk do të vendosë kufizime në të drejtën e vetos së Malit të Zi pasi vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, i thanë jozyrtarisht Televizionit Vijesti në Bruksel, një ditë para publikimit të hartës së re të rrugës për vendet kandidate më të avancuara për anëtarësim.
Siç raporton TV Vijesti, Komisioni Evropian në këtë mënyrë mbron barazinë e plotë të të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian dhe nuk do të përdorë kufizime të kësaj të drejte në rastin e Malit të Zi, që është anëtarja e ardhshme më e mundshme.
Disa analistë, por edhe qarqe politike në Bruksel dhe në rajon, kishin parashikuar se Malit të Zi mund t’i vendosej një kufizim dhjetëvjeçar në të drejtën e vetos, si formë mbrojtjeje e sistemit të Bashkimit Evropian nga mosmarrëveshjet e mundshme të pazgjidhura brenda anëtarëve të rinj, të cilat mund ta rrezikonin stabilitetin e tij.
Mali i Zi synon ta mbyllë procesin e negociatave për anëtarësim deri në fund të vitit 2026 dhe ka si objektiv të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028; harta e re e rrugës e Komisionit pritet të japë udhëzimet konkrete për fazën finale të këtij procesi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.