Kancelari austriak Štoker ofron ndërmjetësim në mosmarrëveshjen kufitare Kroaci–Mal i Zi
Austria do të "ndërtojë ura" në kontestin për Prevlakën, ndërsa kancelari Christian Stocker pret që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028.
Kancelari austriak Christian Stocker shprehu të premten gatishmërinë për të ndërmjetësuar në mosmarrëveshjen mes Kroacisë dhe Malit të Zi për çështjen e kufirit, siç njofton RTCG. Stokeri u tha gazetarëve se Austria synon të “ndërtojë ura” në këtë kontest, i cili po e kushtëzon rrugën evropiane të Podgoricës.
“Shumë nga këto çështje tashmë janë zgjidhur, por jo të gjitha. Disa prej tyre me siguri nuk janë të lehta për t’u zgjidhur, për shembull çështja e kufijve. Zgjidhja përfundimtare ende nuk është në tryezë, por supozoj se është e arritshme”, deklaroi kancelari austriak, sipas raportimit të RTCG-së.
I pyetur nga agjencia APA, Stokeri përsëriti pritshmërinë se Mali i Zi do të bëhet në vitin 2028 anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian, duke theksuar se edhe në të kaluarën ka pasur konflikte dypalëshe mes vendeve kandidate për anëtarësim.
Oferta e Vjenës vjen pasi kryeministri kroat Andrej Plenkoviq paralajmëroi në samitin e djeshëm të Bashkimit Evropian se Kapitulli 31 në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi nuk mund të mbyllet derisa të zgjidhet çështja e kufirit tokësor mes dy vendeve, e cila lidhet me gadishullin e Prevlakës.
Presidenti malazez Jakov Millatoviq deklaroi sot në Ohër, pas samitit të Procesit Brdo-Brioni, se insistimi kroat për zgjidhjen e çështjes së kufirit përpara mbylljes së negociatave i “ngjan pak shantazhit” dhe kërkoi që vendi i tij të trajtohet njësoj siç u trajtua Kroacia. Presidenti kroat Zoran Millanoviq i hodhi poshtë këto vlerësime, duke thënë se bëhet fjalë për një çështje të ndërlikuar, për të cilën duhet biseduar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.