Korpusi i Institucioneve të Pavarura, 6 aplikime konkurrojnë për projektin tek ish-Fusha Aviacionit
Gjashtë bashkime kompanish janë kualifikuar për të vijuar në fazën e dytë të garës së Korporatës së Investimeve Shqiptare për projektet “Korpusi i Institucioneve të Pavarura” dhe “Qendra për Zhvillimin Multifunksional, Tiranë”, një zhvillim që përfshin edhe zonën e ish-Fushës së Aviacionit.
Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) publikoi së fundmi rezultatet e fazës së parë të procedurës konkurruese, gjatë së cilës u vlerësuan dokumentacioni i kandidatëve dhe projekt-idetë paraprake arkitekturore.
Sipas njoftimit, të gjashtë aplikantët që morën pjesë janë kualifikuar për fazën pasuese.
Në garë vijon AGIKONS, me nënkontraktorë të specializuar ZHA Architects Limited dhe AEI Progetti; bashkimi ALBA BETON dhe GRUPPO KONI, me Luca Dini dhe X-Plan Studio; si dhe BAMI HOLDING, që ka në ekip Sou Fujimoto Atelier Paris, tharm architects, Arup, Aspect Studio, Ardian Pepa, Atelier 10 dhe RLB Rider Levett Bucknall UK Limited.
Janë kualifikuar gjithashtu bashkimi EACOM DOOEL dhe MANGERA YVARS ARCHITECTS, FARE BAU ALBANIA, me CHYBIK+KRISTOF dhe partnerë të tjerë të specializuar, si dhe MATRIX KONSTRUKTION Albania, me Studio B&L.
Tre prej kandidatëve kalojnë në fazën tjetër me kusht. MATRIX KONSTRUKTION duhet të plotësojë informacionin për eksperiencën e ngjashme dhe dokumentacionin financiar.
Bashkimi ALBA BETON-GRUPPO KONI duhet të paraqesë dokumentin që provon depozitimin e pasqyrave financiare të GRUPPO KONI për vitin 2025, ndërsa FARE BAU ALBANIA duhet të dorëzojë raportet e certifikimit ose auditimit për pasqyrat financiare të viteve 2023 dhe 2025.
Pas përfundimit të afatit të ankimimit, KISH do t’u dërgojë kandidatëve të kualifikuar Ftesën për Propozim, që hap fazën e dytë të konkurrimit.
Projekti i Korpusit të Institucioneve të Pavarura
Kontrata lidhet me projektimin dhe zhvillimin përmes sipërmarrjes të një objekti multifunksional në Njësinë Administrative nr. 7, në zonën urbane të ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë.
Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e Korpusit të Institucioneve të Pavarura, ku është planifikuar të akomodohen ndër të tjera INSTAT, Avokati i Popullit, Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni i Prokurimit Publik, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Pjesë e zhvillimit është edhe Qendra për Zhvillimin Multifunksional në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, ku parashikohen një klinikë shëndetësore, një palestër dhe hapësira me funksione komerciale e rezidenciale.
Procedura zhvillohet në dy faza. Pas kualifikimit të kandidatëve, në fazën e dytë pritet dorëzimi i projekteve të plota arkitekturore dhe ofertave financiare.
Sipas dokumentacionit të procedurës, zhvillimi multifunksional mund të arrijë në rreth 50 mijë metra katrorë, ndërsa oferta parashikon që të paktën 35% e sipërfaqes së zhvillimit t’i kalojë Korporatës së Investimeve Shqiptare./ N.Maho



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.