“Kosova është më e rëndësishme se secila parti” – AKR kërkon unitet për zgjedhjen e presidentit
Aleanca Kosova e Re ka bërë thirrje që partitë parlamentare të tejkalojnë dallimet dhe të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.
Reagimi vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Sipas AKR-së, deri në këtë datë partitë parlamentare duhet të bëjnë përpjekje për të gjetur një kandidat që gëzon konsensus sa më të gjerë politik dhe shoqëror.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese e bën të qartë se vendi ndodhet përpara një afati vendimtar për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Deri më 6 tetor, partitë parlamentare duhet të bëjnë çmos për të gjetur gjuhën e përbashkët”, thuhet në reagim.
AKR-ja ka theksuar se në këtë fazë interesat partiake duhet t’i lënë vend përgjegjësisë shtetërore.
Partia ka ndërlidhur situatën institucionale edhe me zhvillimet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se Kosova ka nevojë për institucione të konsoliduara dhe funksionale.
Sipas AKR-së, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen te procesi i apelimit të vendimit të shkallës së parë dhe në ofrimin e mbështetjes së nevojshme në këtë proces.
Partia e ka cilësuar aktgjykimin si të motivuar politikisht, ndërsa kjo mbetet një vlerësim politik i AKR-së.
“Aleanca Kosova e Re u bën thirrje të gjitha partive parlamentare që të tejkalojnë dallimet dhe kalkulimet e ngushta politike dhe të angazhohen seriozisht për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Presidenti konsensual”, thuhet në reagim.
AKR-ja ka kërkuar “pjekuri politike, dialog e unitet”, duke theksuar se funksionaliteti i institucioneve dhe bashkëpunimi mes forcave politike janë të domosdoshme për çështjet që partia i konsideron me interes shtetëror.
“Kosova është më e rëndësishme se secila parti”, përfundon reagimi i AKR-së. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.