Kosovë–EFTA: Produktet kosovare nisin rrugën drejt tregut zviceran
Sot, në pikën doganore Dheu i Bardhë, është përcjellë drejt Zvicrës dërgesa e parë në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s. Dërgesa përbëhet nga shtëpi modulare të prodhuara nga kompania “Green House” nga Peja.
Dërgesa shënon një nga hapat e parë konkretë në zbatimin e Marrëveshjes, e cila hyn zyrtarisht në fuqi më 1 tetor 2026, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë.
Marrëveshja synon të krijojë kushte më të favorshme për bizneset kosovare dhe të lehtësojë eksportin e mallrave dhe shërbimeve drejt Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.
Në kuadër të marrëveshjes, eksportuesit e produkteve industriale do të përfitojnë nga liberalizimi i tarifave doganore. Për një numër të produkteve bujqësore parashikohen tarifa të reduktuara ose zero, si dhe kuota preferenciale, në përputhje me kushtet e përcaktuara në marrëveshje.
Marrëveshja përfshin gjithashtu mundësi më të favorshme për eksportin e shërbimeve, duke synuar zgjerimin e pranisë së produkteve dhe shërbimeve nga Kosova në tregjet e vendeve të EFTA-s.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë bizneset përmes informimit dhe sqarimeve lidhur me mundësitë që ofron marrëveshja, me synim rritjen e eksporteve, krijimin e partneriteteve të reja dhe zhvillimin ekonomik./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.