KROACI – Arrestohet zhytësi ukrainas i dyshuar për sabotimin e “Nord Stream”
KARLSRUHE, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Një shtetas ukrainas, i trajnuar si zhytës, u arrestua në mëngjes në Kroaci, nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në sulmet ndaj gazsjellësve “Nord Stream” në shtator të vitit 2022, njoftoi Prokuroria Federale e Gjermanisë.
Burri, i identifikuar si Vladimir Z., në përputhje me ligjet gjermane për mbrojtjen e të dhënave personale, u arrestua në qytetin e Pulës.
Sipas prokurorëve gjermanë, arrestimi u krye nga policia kroate në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Zagreb.
Autoritetet gjermane deklaruan se ai është dyshohet se ka marrë pjesë së bashku me persona të tjerë në vendosjen dhe shpërthimin e lëndëve eksplozive, si dhe në akte sabotimi dhe shkatërrimi të strukturave.
Shpërthimet pranë ishullit danez të Bornholmit, në Detin Baltik, në shtator 2022, shkaktuan dëme të mëdha në të dy gazsjellësit “Nord Stream” dhe ndërprenë plotësisht furnizimin me gaz përmes tyre.
Para sulmit, “Nord Stream 1” transportonte gaz natyror rus drejt Gjermanisë, ndërsa “Nord Stream 2” nuk kishte hyrë ende në funksion.
Sulmi ndodhi disa muaj pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.
Në muajt para shpërthimeve, Moska kishte reduktuar ose pezulluar në mënyrë të përsëritur furnizimet me gaz përmes “Nord Stream 1”./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.