Kryengritja e Pallatit të Drejtësisë konfirmon dëshirën për të drejtuar “Republikën”
Përtej çdo debati teknik mbi çështjen e pagave, le ta shohim këtë çështje në raportin politik që ndërtojnë pushtetet me altarin kushtetues.
E para, tryeza nuk është një tryezë për të pirë ca kafe për kortezi, por është një tryezë në vetvete politike, e cila, e thirrur me kleçkë apo me sinqeritet nga Rama, është një tryezë e pashmangshme për të mos iu bërë pjesë e saj. Për një fakt të thjeshtë, sepse ai përfaqëson ekzekutivin, mazhorancën dhe, mbi të gjitha, është qeveria e cila politikisht ka shtyrë Reformën në Drejtësi. Kur ti thua “ne jemi për tryezë, por të presim Kushtetuesen”, ka një kontradiktë këtu. I bie që ka një lloj hipokrizie, e cila ndërton, në një farë mënyre, një kryeneçësi dhe një mendjemadhësi nga pavarësia e atribuar nga vetë Parlamenti.
E dyta, nëse Kushtetuesja konfirmon të drejtën nga pala e drejtësisë, drejtësia do të shkojë me broshurën në dorë e do të thotë: “Ne jemi fituesit”, ndërkohë që dialogut do t’i mungojë vullneti dhe do t’i shtrohet imponimi.
E treta, ka dy alibi. Është alibia që Rama, nëpërmjet kësaj lëvizjeje, i bën drejtësisë presion dhe, nga ana tjetër, është alibia që drejtësia në vetvete po ndërton narrativën e pushtetit që mund të ndikojë ose mund të kalojë edhe mbi ekzekutivin.
Alibia e parë nuk ka aq bazë, mendoj unë, që Rama i bën presion drejtësisë, për sa kohë, ndryshe nga çdo panoramë tjetër, drejtësia ka një monitorim dhe është kusht i drejtpërdrejtë i ndërkombëtarëve për të hyrë në Bashkimin Europian. Edhe kjo është kaq e qartë dhe e trashë në të njëjtën kohë sa drita e përëndisë.
Kurse e dyta, në pikëpamjen time, ka në alibinë e vet një të vërtetë për një fakt të thjeshtë, nga ky veprim refuzimi.
Refuzimi, në çdo pikëpamje, nuk ka asnjë lidhje me Republikën Kushtetuese. Në një republikë kushtetuese, drejtësia, për çdo arsye, do të duhet të ulet me ata që kanë mjetin e autoritetit të vullnetit politik nëpërmjet mekanizmit që i japin zgjedhjet.
Drejtësia, në çdo ndryshim të saj, do të duhet të marrë fuqinë e popullit dhe mandatet në Parlament. Gjyqtarët nuk janë as parti politike, por janë një pushtet i pavarur, jo një pushtet që vetëvendos. Në këtë pikëpamje, refuzimi i tyre ndërton një premisë shumë të përfolur kohët e fundit, atë të Republikës së “Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”.
Ky refuzim është i dëmshëm. Është po aq i dëmshëm sa politika dikur nuk konsideronte nevojat e drejtësisë dhe e deformonte atë.
Mbi të gjitha, ndonjëherë veprimet banale tregojnë edhe devijancën që del nga dëshira për të pasur Republikën. Mjafton të kujtojmë rastin e Gjykatës Administrative, që ktheu përgjigje për pagat brenda 48 orëve, ndërkohë që ka mbi 10 mijë dosje që flenë në sirtar ende pa përgjigje për vendime që zgjidhin jetën e njerëzve dhe familjeve. Kjo tregon qartë se veprimi me dy standarde është një dëshirë për të dominuar dhe jo për të marrë të drejtën që të takon.
Një drejtësi që lë barrë të drejtën e padhënë dhe, sa hap e mbyll sytë, i jep të drejtë vetes, është as më pak e as më shumë arbitrare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.