Kryetari Ruçi pret znj. Ilijana Jotova: Shpresojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, gjatë vitit 2018
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi priti sot në një takim Zëvendëspresidenten e Republikës së Bullgarisë, Znj. Ilijana Jotova dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës në vendin tonë.
Kryetari i Kuvendit, pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë znj. Jotova, vlerësoi zhvillimin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, të bazuara në lidhjet historike, kulturore dhe ato njerëzore mes dy popujve tanë. Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit theksoi faktin se, “Shqipëria po ecën e vendosur në rrugën e reformave thelbësore për të ardhmen europiane të vendit, duke qenë shpresëplotë në hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018”. Në këtë kontekst, z. Ruçi u shpreh se “është rasti për të vlerësuar presidencën bullgare të Bashkimit Europian në vitin 2018, si një shans për avancimin e politikës së zgjerimit sa i përket Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Në vijim të takimit, Kryetari i Kuvendit paraqiti disa prej arritjeve të rëndësishme të Legjislaturës së IX. Z. Ruçi u ndal në çështje me rëndësi të veçantë në kuadër të përmbushjes së rekomandimeve të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe konkretisht në jetësimin e Reformës në Drejtësi me krijimin dhe fillimin e punës së organeve të ngritura rishtazi për realizimin e saj, si dhe ngritjen dhe konstituimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në mënyrë të posaçme Kryetari i Kuvendit u përqendrua dhe në miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare, duke dhënë një panoramë të qartë të procesit për shqyrtimin, konsultimin publik të tij dhe miratimin në seancë plenare me konsensus. Kryetari i Kuvendit nënvizoi se “ekziston i gjithë vullneti politik dhe po ashtu infrastruktura ligjore për të bërë të mundur zbatueshmërinë e këtij ligji”.
Zëvendëspresidentja e Republikës së Bullgarisë, znj. Ilijana Jotova falënderoi për mikpritjen e përzemërt të ofruar në kuadër të vizitës në Shqipëri, si dhe shprehu urimet dhe konsideratën për zgjedhjen e z. Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimit, znj. Jotova vlerësoi miratimin me konsensus të ligjit për pakicat kombëtare nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili njeh si pakicë kombëtare edhe pakicën bullgare, duke nënvizuar rolin e këtyre pakicave si urë lidhëse në marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Në vijim të bisedës, Zëvendëspresidentja e Bullgarisë vuri në dukje prioritetet e presidencës bullgare në Këshillin e Ministrave të BE-së, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, duke u shprehur se prioritet i veçantë do të jetë ripërtëritja e politikës së zgjerimit, me fokus në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Znj. Jotova tha se shpresonte që negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE të fillojnë gjatë vitit 2018.
Gjatë bashkëbisedimit, dy personalitetet e larta ndanë gjithashtu mendime të përbashkëta lidhur me intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve tanë, sidomos në spektrin ekonomik, përmes projekteve të përbashkëta në fusha me interes reciprok, si ajo e energjetikës, interkonjeksionit, etj. Në këtë kuadër u vu theksi dhe në rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar, edhe përmes Grupit të Miqësisë Shqipëri-Bullgari, apo dhe të grupeve të ekspertëve të fushave të interesit reciprok dhe në dobi të marrëdhënieve dypalëshe.