Kujdes nga hakerat, shqiptarëve u janë vjedhur 2 milionë euro gjatë 2015-ës
Më shumë se 2 milionë euro i janë vjedhur shqiptarëve përgjatë vitit 2015, falë mashtrimeve kompjuterike. Shefi i seksionit të krimeve kompjuterike e kibernetike në Drejtorinë e Policisë Tiranë Artan Dashi në një intervistë për Report TV shprehet se ka pasur raste që një biznesmeni i janë vjedhur deri 850 mijë euro vetëm me një transfertë.
“Është vjedhur afërsisht një shifër marramendëse që arrin mbi 2 milionë euro. Këto shifra u janë vjedhur individëve në rastet e blerjeve të makinave jashtë vendit por edhe bizneseve që kanë dashur të blejnë pjesë këmbimi, lëndë të parë, etj. Shuma më e madhe që është kallëzuar në këtë zyrë ka qenë 850 mijë euro”, shprehet Dashi.
Mashtrimi kompjuterik sipas Dashit vijnë për shkak se biznesmenët shqiptarë kërkojnë të mbarojnë punë shpejt dhe nuk i kontrollojnë faturat, numrat e llogarisë apo çdo të dhënë që duhet të plotësohet para çdo transferte.
“Dëshira për të mbaruar punë shpejt, pa menduar se mund të vidhen duke kujtuar se janë të sigurt nga emailet ka sjellë këto”, thotë ai.
Kryesisht hakerat e huaja i transferojnë paratë në banka të Anglisë, Gjermanisë, Sllovakiës e Cekisë për një periudhë tranzitore e më pas paratë e vjedhura përfundojnë në vëndet e Afrikës duke u shpërndarë në një rrjet merimange siç e quan Dashi pjestimin e një shume në 100 llogari.
“Bëhen faturat e proformave, faturat e artikujve të blerë. Në momentin që bëhen proformat hakeri bën programe të tilla kompjuterike që kap këto proforma. Në momentin që kap proformën midis biznesmenit gjerman dhe shqiptar, ai e shikon nuk i ndryshon asaj asgjë, vetëm ndryshon llogarinë’, shpjegon Dashi.
E teksa gjendja sipas Dashit është në kufijtë e alarmit, ai ka një këshillë për këdo që e ka të nevojshme të përdori internetin për punë apo transferta duke i kërkuar që të bëjnë kujdes para çdo transaksioni.
“Në radhë të parë duhet të bëhet verifikimi. Nuk duhet të besohet verbërisht tek komunikimi me email. Duhen të ketë patjetër kontakt nëpërmjet telefonit”, këshillon Dashi.
Krimet kompjuterike janë të shumta, por ajo çka ka ngritur alarmin e kuq në drejtorinë e Policisë Tiranë janë mashtrimet kompjuterike ku vetëm për 2015-2016 numri i personave që nuk kanë gjetur më paratë e tyre në miliona euro arrin në 38 të tillë.
Rastet e mashtrimeve ndër vite
Viti Mashtrimet
2010 6 raste
2011 16 raste
2012 17 raste
2013 24 raste
2014 28 raste
2015 20 raste
2016 18 raste