Kuvend- Debate për VKM-në e Muzeut Arkeologjik, Zhupa: Po groposni historinë. Gonxhja: S’ka banalizim, por më shumë gjenerim turizmi kulturor
VKM-ja e Këshillit të Ministrave për ndërtimin e Muzeut Arkeologjik në një hapësirë nëntokësore me një kat parkimi pranë Sheshit “Nënë Tereza” është kthyer në objekt debati në Kuvend, gjatë një seance pyetje-përgjigje mes deputetes demokrate Ina Zhupa dhe ministrit Blendi Gonxhja.
Deputetja Ina Zhupa kritikoi ashpër vendimin, duke e cilësuar atë si një “vrasje të identitetit kombëtar”. Sipas saj, në vend që gjetjet arkeologjike të ekspozohen në dritë dhe të promovohen si pjesë e historisë shqiptare, ato po parashikohen të vendosen në një hapësirë nëntokësore.
Ajo kërkoi sqarime mbi modelin ndërkombëtar të ndjekur, standardet e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe nëse ekspertët e fushës janë konsultuar për projektin.
“Jam e habitur kur në shkurt të këtij viti doli një VKM që thoshte se një kat parkimi nëntokësor në Sheshin ‘Nënë Tereza’ do të jetë Muzeu Arkeologjik i shqiptarëve. Në të gjithë botën arkeologjia punon për të nxjerrë nga toka në dritën e diellit gjetjet dhe për t’i ekspozuar me krenari. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Është një vrasje që i bëni identitetit kombëtar, është një model i paprecedentë. E kam thirrur ministrin që të më thotë cili është modeli ndërkombëtar që i është referuar? A është konsultuar komuniteti i ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe a ka pasur mendime kundërshtuese? Si e justifikon zgjedhjen e një hapësire të tillë? Mund të më thoni si garantohet që kushtet fizike të një ndërtimi të tillë të përmbushin standardet për ruajtjen afatgjatë të trashëgimisë kulturore? Nuk ndodh në asnjë vend të botë që gjetje që kanë parë dritën e diellit, t’i groposni në një kat parkimi”, tha Zhupa.
Nga ana tjetër, ministri Blendi Gonxhja deklaroi se vendimi i referohet praktikave ndërkombëtare që integrojnë hapësira muzeale edhe në struktura nëntokësore apo infrastruktura urbane.
Sipas ministrit, projekte të ngjashme ekzistojnë në vende si Roma apo Luvri, ndërsa qëllimi është garantimi i standardeve moderne të ruajtjes dhe ekspozimit të objekteve arkeologjike.
Ai sqaroi gjithashtu se projekti ndodhet ende në fazë paraprake dhe se konsultimet publike me ekspertët pritet të zhvillohen gjatë fazës së projektimit.
“I është referuar praktikave ndërkombëtare që integrojnë funksione muzeale në hapësira edhe nëntokësore, apo infrastruktura urbane që janë të ngjashme, si psh. në Romë, në Luvër, etj., të cilat evidentohen se sigurojnë ruajtje të përshtatshme për objektet. Kërkesa institucionale fillestare është paraqitur nga Akademia e Shkencave. Ministria ka sugjeruar që projektimi të përmbushë të gjitha standardet ndërkombëtare të ruajtjes. Ministria vlerëson se integrimi i hapësira muzeale nëntokësore është i pranueshëm nëse garantohen standardet e ekspozimit, aksesit dhe interpretimit për publikun, në përputhje me praktikat bashkëkohore muzeale. Zgjidhjet konkrete më pas përcaktohen gjatë fazës së projektimit. Afërsia me parkime, stacione, metro, zona me akses të lartë turistësh, është faktor që ndihmon në fizibilitetin e të tilla investimeve. Trajtimi i trashëgimisë kulturore mbetet prioritar. Nuk ka banalizim, por ka më shumë gjenerim turizmi kulturor dhe promovim te vlerave tona identitare. Projekti është në fazë paraprake dhe nuk është zhvilluar ende një proces konsultimi publik. Parashikohet që gjatë fazës së projektimit të përfshihen ekspertët e fushës”, tha Gonxhja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.