Lamallari në selinë e Europol në Hagë: Shqipëria, partner i besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në selinë e Europol në Hagë, ku u prit nga Drejtori Ekzekutiv në detyrë, Jürgen Ebner, dhe përfaqësues të qendrave të specializuara të agjencisë për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.
Gjatë takimit u diskutua forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Europol, me fokus të veçantë në luftën kundër trafikut të narkotikëve, grupeve kriminale, trafikimit të qenieve njerëzore, krimit financiar dhe mashtrimeve online.
Lamallari vlerësoi partneritetin e ngushtë operacional midis Policisë së Shtetit dhe Europol, duke nënvizuar se bashkëpunimi aktiv dhe pjesëmarrja në operacionet e përbashkëta kanë dhënë rezultate konkrete në çmontimin e rrjeteve kriminale dhe ngritjen e nivelit të sigurisë.
“Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit europian dhe po dëshmon çdo ditë se vepron si një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm, duke kontribuar në sigurinë e përbashkët europiane me të njëjtin angazhim si vendet anëtare të Bashkimit Europian”, tha Lamallari.
Në përfundim të takimit, të dyja palët riafirmuan angazhimin për ta çuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Europol në një nivel më të lartë, nëpërmjet intensifikimit të shkëmbimit të informacionit, koordinimit operacional dhe veprimeve të përbashkëta kundër të gjitha formave të krimit të organizuar.
Gjatë vizitës në Hagë, Ministri Lamallari u takua gjithashtu me homologun holandez dhe me Presidentin e Eurojust.Ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të Shqipërisë për të forcuar rolin e saj si partner kyç në sigurinë rajonale dhe europiane, sidomos në luftën kundër krimit transnacional.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.