Politika

Leja për arrestimin e Tahirit, Prokurori: Hetimi nisi nga media

Këshilli i Mandateve dhe Rregulloreve është mbledhur këtë paradite për kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e tij. 
Vetë ish-ministri i Brendshëm është i pranishëm në këtë mbledhje, por do të jetë avokati i tij Artan Hajdaraj që do të flasë për të. Ndërsa organi i akuzës është përfaqësuar nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besnim Hajdarmataj dhe prokurorët Elizabeta Imeraj e Vladimir Mara. Ai kërkoi që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor.
Hajdarmataj tha se procedimi është regjistruar tri ditë më parë.
“Kemi regjistruar një procedim penal të datës 17.10.2017, i cili mban numër 313, gjithmonë duke iu referuar të dhënave të bëra publike dhe më pas kemi bërë edhe në rrugë zyrtare gjithë materialin, që në një pjesë ka dalë publikisht, për të gjithë personat që janë të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria për në Itali. Bashkë me këta persona kemi regjistruar edhe emrin e Saimir Tahirit, si person nën hetim për veprat penale për të cilat janë parashikuar në kërkesën e paraqitur nga ne. Duke qenë se kishim paraprakisht të dhëna që këta persona e ushtronin aktivitetin e tyre në qetësi të plotë, kemi krijuar dyshimin se në rastin konkret, kjo ndihmë, duke iu referuar edhe përgjimeve të Moisi Habilajt dhe Çelajt, që në rastin konkret krijohet bindja dhe dyshimi i arsyeshëm që është i përfshirë në këtë aktivitet edhe deputeti Saimir Tahiri”, u shpreh Prokurori.
Deputetët e mazhorancës kërkuan nga grupi i prokurorëve provat, që sipas tyre, inkriminojnë deputetin socialist, Saimir Tahiri. Prokurorët deklaruan se hetimi ka nisur kryesisht edhe mbi bazën e informacioneve të qarkulluara në media për përgjimet e realizuara nga pala italiane.
“Kemi bërë verifikimet në sistemin TIMS dhe na ka rezultuar, që deputeti Saimir Tahir, në vitin 2013, 05.11.2013, duke pasur në pronësi një automjet të tij, të cilin e kishte blerë më parë me një vlerë të caktuar, ja kishte shitur njërit prej vëllezërve Habilaj, konkretisht shtetasit Artan Habilaj. Ndërkohë, na ka rezultuar më pas që ky automjet është ripërdorur nga deputeti Saimir Tahiri gjatë viteve 2013-2014. Na rezulton që në një moment të caktuar, ndërkohë që deputeti ndodhej në Greqi, automjeti është dërguar nga njëri prej vëllezërve Habilaj në Greqi dhe pastaj në kthim ka udhëtuar me këtë automjet deputeti Saimir Tahiri. Që nga viti 2013 e deri në muajin prill të vitit 2017, kur realisht kishim një ministër tjetër të brendshëm, asnjëherë nga Policia e Shtetit nuk referuar një material në Prokurorinë për Krime të Rënda për aktivitetin kriminal të këtyre personave”, shtoi Besim Hajdarmataj.
Prokurorët thonë se Zagani nuk përfshihet në dosjen ndaj Saimir Tahirit, por nuk përjashtojnë që kjo të ndodhë në vazhdim.
“Në lidhje me rastin Zagani, ne do ta shohim, do të rishikojmë çdolloj deklarimi që ai ka dhënë në raport aktivitetin e këtyre personave dhe nëse ky deklarim harmonizohet me prova të tjera, patjetër që do ta vlerësojmë që është një deklarim që i shërben hetimit, nëse nuk harmonizohet, nuk ka vlerë”, Hajdarmataj.
Të pyetur nga deputetët socialistë nëse në aktet e përcjella nga pala italiane rezulton që Saimir Tahiri është nën hetim nga Prokuroria e Katanias, prokurorët u përgjigjën: “Në aktet e përcjella deri në këto momente nuk figuron një gjë e tillë”.
Mbledhja e Këshillit po vijon me dyer të mbyllura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button