LUKSEMBURG – Kallas: Armëpushimi energjetik Rusi-Ukrainë nuk mund të funksionojë nëse e respekton vetëm njëra palë
LUKSEMBURG, 13 tetor /ATSH-Ukrinform/ – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, deklaroi sot se BE-ja e mbështet idenë e një armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë për goditjet ndaj infrastrukturës energjetike, por theksoi se ai duhet të respektohet nga të dyja palët.
“Armëpushimi nuk mund të funksionojë nëse e respekton vetëm njëra palë”, tha Kallas në një konferencë për shtyp në Luksemburg, pas mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.
Ajo bëri të ditur se ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare shprehën mbështetje për një armëpushim, që do të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe Rusisë, me kusht që edhe Moska t’i përmbahet marrëveshjes.
Kallas theksoi se vendet e BE-së janë të vetëdijshme se nuk është momenti për të lehtësuar presionin ndaj Moskës.
Në këtë kuadër, ajo përmendi vendimin e BE-së për të shtuar afro 1 600 individë dhe subjekte të reja në listat e sanksioneve, që synojnë kompleksin ushtarako-industrial rus.
Sipas saj, këto masa po e bëjnë prodhimin e armëve në Rusi më të vështirë, më të ngadaltë dhe më të kushtueshëm.
Bëhet fjalë për armët që Rusia përdor në luftën kundër Ukrainës, përfshirë raketat balistike.
Kallas njoftoi gjithashtu se BE-ja do të sigurojë gjatë kësaj jave financime shtesë për Ukrainën, të destinuara për dronë dhe raketa.
Ajo mirëpriti edhe miratimin nga Ukraina të legjislacionit të nevojshëm, për hapjen e pritshme të dy grupkapitujve në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina është e gatshme të respektojë një armëpushim të tillë, por paralajmëroi se do të reagojë nëse Rusia vazhdon sulmet.
Ai pretendoi se forcat ruse kishin goditur objekte energjetike ukrainase, përfshirë një impiant të prodhimit të gazit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.