Mach9 mbledh 34 milionë dollarë pasi kalon te softueri CAD me inteligjencë artificiale
Startup-i i themeluar si kompani robotike për inspektime tani automatizon hartat dhe projektet e inxhinierisë civile dhe thotë se puna bëhet dhjetë herë më shpejt
Startup-i amerikan Mach9 ka mbledhur 34 milionë dollarë në një raund financimi Series A, pasi braktisi pajisjet robotike dhe u përqendrua te softueri CAD me inteligjencë artificiale për inxhinierinë civile, siç njofton TechCrunch. Raundi u bashkëdrejtua nga First Round Capital dhe Bessemer Venture Partners, me pjesëmarrjen edhe të Prudence dhe Quiet Capital.
Kompania u themelua në vitin 2021 nga Alex Baikovitz me emrin Mach9 Robotics, me qëllimin për të ndërtuar një mënyrë më të shpejtë dhe më të lirë për inspektimet vizuale të inxhinierëve civilë. Por siç i tha Baikovitz TechCrunch-it, klientët i treguan se ngërçi nuk ishte te pajisjet për mbledhjen e të dhënave, por te puna e mundimshme për t’i kthyer të dhënat e skanerëve lazer dhe imazheve në harta e projekte të përdorshme.
Mach9 thotë se softueri i tij, që ndodhet ende në beta private, ka tashmë afro 100 klientë dhe është përdorur në më shumë se 2,500 projekte. Sipas raportimit të TechCrunch, kompania ka trajnuar modele të sajat të inteligjencës artificiale që kthejnë të dhënat multimodale — imazhe dhe skanime lazer — në gjeometri me saktësi centimetrike, duke traçuar automatikisht bordurat, vijëzimet e rrugëve dhe elementët e tjerë ashtu siç i kërkojnë inxhinierët.
Softueri krijon draftin e parë të projektit, të cilin inxhinierët e licencuar e rishikojnë dhe e korrigjojnë përpara se ta nënshkruajnë, ndërsa kompania pretendon se procesi bëhet rreth dhjetë herë më shpejt se me softuerët tradicionalë të tipit Autodesk apo Bentley Systems. Baikovitz tha për TechCrunch se financimi i ri do të ndahet mes përmirësimit të produktit, punësimit të ekspertëve të industrisë dhe zgjerimit të kompanisë, ndërsa gara për modernizimin e infrastrukturës po shtohet — në gusht, startup-i CivilGrid mbledhi 26 milionë dollarë për hartën e tij të nëntokës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.