“Marubi” pjesë e “Archivi Aperti 2026”, për herë të parë nisma italiane mbërrin në Shqipëri
Nisma Archivi Aperti (Arkivat e hapura) e cila i kushtohet arkivave dhe trashëgimisë fotografike në 12 rajone të Italisë, për herë të parë do të kapërcejë kufijtë, me pjesëmarrjen e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Në këtë mënyrë, “Marubi”, anëtari më i ri i Rete Fotografia, bëhet pjesë e edicionit XII të Archivi Aperti, që do të mbahet nga 16 deri më 25 tetor duke përfshirë muze, arkiva dhe institucione fotografike. Me këtë shtrirje përtej kufijve të Italisë Archivi Aperti sjell Shkodrën dhe trashëgiminë e saj fotografike në një dialog ndërkombëtar.
Ky edicion do të zhvillojë temën “Identitete të reflektuara: shoqëria përmes fotografisë”, duke ftuar të reflektohet mbi fuqinë e fotografisë për të dokumentuar, interpretuar dhe ndërtuar kujtesën e një shoqërie.
“Një arkiv fotografik nuk ruan vetëm imazhe: ai ruan fytyra, vende, ngjarje, transformime dhe histori që, së bashku, formojnë kujtesën tonë kolektive. Ruajtja, studimi dhe hapja e këtyre arkivave mundëson ta rilexojmë të shkuarën nga perspektiva të reja dhe të sjellim në dritë histori e këndvështrime që mund të kenë mbetur të padukshme”, thotë “Marubi”.
Muzeu “Marubi” bëri të ditur se përfshirja në këtë hartë ndërkombëtare e vendos Shkodrën në një dialog të ri mbi fotografinë, arkivin dhe kujtesën. Nga Italia në Shqipëri, fotografia bëhet ura që lidh kujtesën, territorin dhe identitetin. “Marubi” tha se së shpejti do të publikojë edhe programin e tij të plotë në Archivi Aperti 2026.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.