Mazniku: Rama dhe të gjithë ne kemi një kontratë me 860 mijë votues
Deputeti i Partisë Socialiste Arbjan Mazniku deklaroi në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se kërkesat për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe largim të mazhorancës përfaqësojnë një kalim nga pakënaqësia legjitime në sfidim ndaj vullnetit të 860.000 votuesve që i kanë dhënë mazhorancës mandatin.
“Në momentin që kalohet nga kjo te një diskutim i cili thotë ‘të ikin kjo klasë politike, të largohen këta njerëz, të vijnë ca njerëz të tjerë’, në atë moment kemi kaluar nga një diskurs i cili është i orientuar drejt një pakënaqësie të një pjese të shoqërisë. Rëndësia e kësaj është krejt normale dhe krejt demokratike, por elementët se si kjo zgjidhet i ka të strukturuar Kushtetuta e vendit”, tha Mazniku.
Ai shtoi se ndryshimi i pushtetit në demokraci bëhet vetëm përmes mekanizmave kushtetues.
“Ne kemi të drejtën e njerëzve për të organizuar forca politike, që është e drejtë e njohur, e barabartë dhe e vlerësuar njësoj si në vende të tjera të Bashkimit Europian dhe vende të tjera demokratike.
Njerëzit organizohen në forca politike, futen në garë, bindin publikun, marrin vota dhe ndryshojnë. Në qoftë se bëhen mjaftueshëm njerëz që të vendosin që nesër kjo të bëhet një demokraci e drejtpërdrejtë ku të gjithë njerëzit votojnë si duhet, ka një mekanizëm demokratik. Si bëhet kjo gjë? Bëhet me Kushtetutë”, theksoi deputeti.
Mazniku nënvizoi se demokracitë e qëndrueshme kanë mekanizma riparimi të sistemit të brendshëm, duke përmendur shembuj si Zvicra, Franca dhe SHBA.
“Secili prej vendeve respektive ka ndërtuar në Kushtetutën e vet një mekanizëm se si riparohet sistemi. Ne e kemi bërë njësoj si të tjerët dhe po ky mekanizëm që e kanë të gjithë demokracitë e qëndrueshme. Demokracitë e qëndrueshme kanë mekanizma se si vetë riparojnë sistemin kur ka probleme. Dhe kjo është rruga”, tha ai.
Duke iu referuar protestës, Mazniku mbrojti të drejtën për protestë, por kritikoi kalimin drejt kërkesave për dorëheqje të mazhorancës.
“E them edhe njëherë: unë besoj që ne sot jemi në një demokraci shumë të avancuar dhe prej një fakti – njerëzit kanë të drejtën e tyre të protestojnë, të thonë ‘të iki filani, të vijë fisteku, ky në burg, ai në burg’. Është e drejta e tyre ta thonë. Dhe çështja është që nuk jemi larg… Po them: nga momenti që thanë ‘të ikë mazhoranca’, nuk e kanë më hesapin me mazhorancën, e kanë hesapin me 860.000 veta që kanë votuar mazhorancën. Çështja është që mazhoranca ka një kontratë – dhe Edi Rama si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe si kryetar i Partisë Socialiste – ka një kontratë bashkë me të gjithë ne të tjerët me 860.000 veta që na kanë votuar. Sot nuk e kanë më diskutimin me ne, e kanë me 860.000 veta që kanë votuar socialistët”, deklaroi deputeti socialist Arbian Mazniku.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.