Medvedev pas takimit me Daçiçin në Moskë: Po e ndjekim me vëmendje fushatën zgjedhore në Serbi
Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitri Medvedev, tha pas takimit me kryetarin e SPS-së, Ivica Daçiç, në Moskë se Moska sheh përpjekje të Perëndimit për t'u përzier në proceset zgjedhore në Serbi, dhjetë ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit.
Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiç, është takuar të enjten në Moskë me zëvendëskryetarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe kryetarin e partisë Rusia e Bashkuar, Dmitri Medvedev. Sipas njoftimeve të mediave serbe, në takim u bisedua për çështjet aktuale të sigurisë, për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë dhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Pas takimit, siç njofton gazeta Danas, Medvedev deklaroi se Moska sheh përpjekje të Perëndimit për t’u përzier në proceset zgjedhore në Serbi dhe për ta destabilizuar situatën përmes forcave destruktive. “Po e ndjekim me vëmendje fushatën zgjedhore në Serbi”, tha Medvedev, dhjetë ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Daçiç ndodhet në vizitë në Moskë, në fillim të së cilës, siç njoftoi kabineti i tij, ai shprehu kënaqësinë për nivelin e arritur të bashkëpunimit me Rusinë, duke e vlerësuar atë shumë të suksesshëm si në planin strategjik, ashtu edhe në atë operativ, me mbështetje reciproke në institucionet ndërkombëtare. Të dyja palët, sipas të njëjtit njoftim, janë të gatshme të intensifikojnë kontaktet dhe t’i thellojnë marrëdhëniet.
Vizita dhe deklaratat nga Moska vijnë në ditët e fundit të fushatës zgjedhore në Serbi, ku lista “Ivica Daçiç – Faktor stabilnosti” garon me numrin 2, ndërsa çështja e ndërhyrjeve të jashtme në procesin zgjedhor është kthyer në një nga temat qendrore të përplasjeve mes pushtetit dhe opozitës në Beograd.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.