Merz: Moska nuk është e interesuar për negociata serioze për Ukrainën
Takimi në Nju Jork mes ministrave të Jashtëm të Gjermanisë dhe Rusisë ka treguar se Moska “nuk është aspak e interesuar për negociata serioze” për Ukrainën, deklaroi kancelari gjerman Friedrich Merz.
“Ne po bëjmë përpjekje intensive diplomatike”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin, duke iu referuar takimit të papritur të së shtunës mes ministrit të Jashtëm gjerman Johann Wadephul dhe homologut të tij rus Sergei Lavrov, përpara fjalimit të këtij të fundit në Kombet e Bashkuara.
Takimi ishte i pari i këtij niveli që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Gjermania është aktualisht një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Ukrainës.
Megjithatë, sipas Merz, mënyra se si Rusia e vlerësoi më pas takimin tregoi se Moska “nuk është aspak e interesuar për negociata serioze për momentin”.
Pas takimit me Wadephul, Lavrov mbajti një fjalim në podiumin e OKB-së, ku akuzoi Evropën se po kundërshton paqen në Ukrainë dhe deklaroi se Moska do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë “nën çdo rrethanë”.
“Nuk pati ndryshim, por në fund të fundit një tallje”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, duke komentuar qëndrimin rus pas takimit.
“Ne mundemi vetëm, edhe një herë, t’i bëjmë thirrje qeverisë ruse të ulet në tryezën e negociatave, për të zhvilluar diskutime serioze rreth përfundimit të kësaj lufte”, tha Merz.
Kancelari gjerman premtoi gjithashtu se do të “bëjë gjithçka që mundet për të vazhduar të ndihmojë Ukrainën”, ndërsa paralajmëroi se Rusia “do të duhet të paguajë çmimin” nëse vazhdon luftën.
Ndërsa presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Rusisë, duke theksuar se si Moska, ashtu edhe Kievi janë miq të mirë të Kazakistanit.
Tokayev vlerësoi gjithashtu Vladimir Putinin, të cilin e cilësoi si një “burrështetas të shkëlqyer”, duke thënë se presidenti rus “këmbëngul në respektimin dhe mbrojtjen e parimit të integritetit territorial të të gjitha shteteve”.
Megjithatë, ai bëri thirrje për ngrirjen e operacioneve ushtarake në territorin ukrainas, me qëllim që t’i jepet hapësirë diplomacisë dhe negociatave.
Ndërkohë, Moska bombardoi sërish kryeqytetin ukrainas të hënën, duke vrarë një person dhe plagosur disa të tjerë, sipas autoriteteve.
Po të njëjtën ditë, i dërguari rus Kirill Dmitriev u takua me zyrtarë amerikanë në Uashington për të “vazhduar diskutimet konstruktive mbi një zgjidhje paqësore të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës”, sipas një burimi të Shtëpisë së Bardhë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.