Bebe Rexha zbulon mbështetjen e papritur nga Taylor Swift pas refuzimit të stilistëve

Bebe Rexha ka rrëfyer se Taylor Swift e kontaktoi në një moment të vështirë për të, kur këngëtarja po përballej me refuzime nga stilistët për shkak të formave të saj trupore.
Rexha e ndau historinë gjatë një interviste për E! News, teksa mori pjesë në ceremoninë e MTV Video Music Awards.
“Mbaj mend kur pata gjithë atë situatë me Grammy-t dhe nuk po gjeja dot një fustan. Ajo më kishte kontaktuar, sepse jemi në të njëjtën moshë”, tregoi këngëtarja e “I’m Good (Blue)”.
“Dhe mendova se ishte vërtet, vërtet shumë e sjellshme nga ana e saj”, shtoi Rexha.
Këngëtarja 37-vjeçare kujtoi se në atë periudhë shumë pak persona u interesuan për situatën e saj.
“Pothuajse askush nuk më kontaktoi. Disa njerëz e bënë, sigurisht. Por që ajo, në atë nivel, të më bënte të ndihesha sikur i përkisja asaj bote, ishte vërtet shumë bukur”, u shpreh Rexha.
Në vitin 2019, Bebe Rexha u bë kryefjalë e mediave pasi zbuloi se disa stilistë kishin refuzuar ta vishnin për ceremoninë e Grammy-ve, duke i thënë se ishte “shumë e madhe”.
Në atë kohë, këngëtarja tha se ekipi i saj kishte kontaktuar me shumë stilistë, por kishte marrë përgjigje negative për shkak të përmasave të saj. Rexha kritikoi industrinë e modës, duke argumentuar se refuzimi i grave me përmasa të ndryshme nga standardet e modës dërgon një mesazh të gabuar për bukurinë dhe trupin e femrës.
Pavarësisht polemikave, këngëtarja shkëlqeu në tapetin e kuq të Grammy-ve të vitit 2019, ku u shfaq me një fustan të kuq spektakolar të dizajnuar nga Monsoori. Në atë periudhë, Rexha mori mbështetje publike edhe nga artiste të tjera, mes tyre Demi Lovato dhe Rita Ora.
Ndër vite, këngëtarja ka reaguar edhe ndaj komenteve negative për trupin e saj në rrjetet sociale, duke u shprehur se nuk dëshiron që njerëzit të ndiejnë keqardhje për të.
“E di shumë mirë gjithçka. E di që kam shtuar në peshë. E di që kam kaluar shumë gjëra. Nuk dua të ndiheni keq për mua, sepse ju premtoj që ndihem më e fortë se kurrë”, kishte deklaruar ajo në vitin 2025.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.