A janë bashkë? Raye flet për marrëdhënien me Michael B. Jordan

Këngëtarja britanike Raye ka mohuar zërat për një lidhje romantike me aktorin Michael B. Jordan, duke sqaruar se mes tyre ka vetëm miqësi dhe një projekt të përbashkët.
“Jemi thjesht miq që na pëlqejnë parqet e lojërave”, tha këngëtarja 28-vjeçare për Extra, teksa ecte në tapetin e kuq të MTV Video Music Awards të dielën.
Deklarata e saj vjen rreth një muaj pasi Raye dhe aktori 39-vjeçar u fotografuan së bashku në Six Flags Magic Mountain, në Kaliforni, më 7 gusht, duke nxitur menjëherë thashethemet se mes tyre mund të kishte nisur një romancë.
Raye sqaroi gjithashtu se ajo dhe aktori i “Sinners” janë duke punuar së bashku në një projekt, por nuk mund të japë shumë detaje.
“Teknikisht nuk më lejohet të flas për të, sepse mund të futem në telashe”, tha ajo.
Në një tjetër intervistë për ET, këngëtarja e përshkroi Jordan si “thjesht një mik të mrekullueshëm”.
“Po punojmë për disa gjëra, gjë që është shumë bukur”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse është e hapur për të dashuruar, Raye tha se mezi pret që kjo pjesë e jetës së saj të vijë, por nuk po e kërkon me ngulm.
“Jam shumë e emocionuar, por gjithashtu nuk po e detyroj atë kapitull”, tha këngëtarja.
“Thjesht duhet të të gjejë natyrshëm. Thonë se dashuria të gjen kur ndalon së kërkuari”, shtoi ajo.
Raye tha se për momentin është e përqendruar te puna dhe përpiqet të pushojë sa herë që ka mundësi.
Këngëtarja britanike kishte bërë më herët një deklaratë të pazakontë për jetën e saj sentimentale. Gjatë një interviste në emisionin “Today” më 20 gusht, ajo tha se ishte “në grevë” dhe nuk do të publikonte një album të ri derisa të dashurohej.
“Kam shkruar kaq shumë këngë. Kam qenë kantautore për një kohë shumë të gjatë dhe këndvështrimi im ka qenë kryesisht: ‘Kjo nuk funksionoi’, ‘Kjo është e tmerrshme’, ‘Jam vetëm’, ish-i im i asaj kohe apo ish-i im i një kohe tjetër. Jam lodhur shumë nga ky këndvështrim”, tha ajo.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.