Milan Shuflaj, historiani i njohur kroat dhe studiuesi i përkushtuar i Mesjetës shqiptare
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi në ditën e lindjes, historianin e njohur kroat Milan Shuflaj, i cili dha një kontribut të rëndësishëm në studimin e historisë mesjetare shqiptare.
Milan Shuflaj lindi më 9 nëntor 1879, në Zagreb. Ai ishte medievist dhe albanolog kroat, i konsideruar ndër themeluesit e studimeve albanologjike. Shuflaj, përmes veprës monumentale “Acta Albaniae”, të realizuar në bashkëpunim me studiuesit Konstantin Jireček dhe Ludwig von Thallóczy dha një kontribut të çmuar për shqiptarët.
Në vitet 1908–1918 qe profesor i Universitetit të Zagrebit. Pas krijimit të shtetit jugosllav, ai u përball me persekutime të ashpra politike nga regjimi jugosllav, i cili e largoi nga detyra, e dënoi me burgim dhe i ndaloi veprimtarinë akademike.
Pavarësisht pengesave, Shuflai dha kontribut në ndriçimin e historisë shqiptare. Ai shkroi vepra me peshë si “Qytetet dhe kalatë e Shqipërisë kryesisht gjatë mesjetës” (1924), “Historia e Shqipërisë së Veriut”, “Serbët e shqiptarët”, si dhe romanin historik “Konstantin Balsha” (1920) nën pseudonimin Alba Limi. Përmes kërkimeve të tij shkencore, ai dokumentoi autoktoninë, vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë kulturore të popullit shqiptar.
Udhëtimi dhe përkushtimi i tij ndaj së vërtetës historike shqiptare i kushtuan jetën. Më 19 shkurt 1931, Shuflai u vra në mënyrë barbare nga policia jugosllave. Kjo ngjarje shkaktoi reagime të forta e protesta ndërkombëtare në mbrojtje të figurës së tij.
Në vitin 2002, ai u dekorua pas vdekjes me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, për kontributin e tij në studimet albanologjike dhe mbrojtjen shkencore të çështjes shqiptare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.