Grenell ofron mbështetje për udhëheqjen evropiane në dialog
Më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Më 12 korrik, ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nikoqir i takimit të Brukselit do të jetë shefi për politikë të jashtme i BE-së, Josep Borrell.
Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, nuk është mbajtur, pasi pak ditë para tij Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Pas paraqitjes së aktakuzës, Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë, e pas tij edhe Hoti.
Grenell, i cili ka qenë organizator i atij takimi, ka paralajmëruar se do të riorganizojë një tjetër së shpejti.
Takimi në Bruksel do të jetë i pari midis Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, qysh në fund të vitit 2018.
Atëbotë, dialogu është ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të Serbisë.
Autoritetet në Kosovë tani i kanë hequr barrierat tregtare me Serbinë.