Morën 20 mijë lekë për të mos ndëshkuar një shofer, AMP arreston dy policë në Tiranë
Arrestohen dy efektivë të Komisariatit nr. 4 në Tiranë, dyshohen se morën 20 mijë lekë për të mos ndëshkuar një shkelje rrugore
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit nr. 4 në Tiranë, të dyshuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, të kryera në bashkëpunim.
Sipas njoftimit të AMP-së, në pranga kanë rënë dy inspektorë, përkatësisht 20 dhe 23 vjeç, të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme pranë këtij komisariati. Hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari. Nga veprimet hetimore dyshohet se dy efektivët i kanë kërkuar dhe marrë qytetarit shumën prej 20 mijë lekësh, në këmbim të mosndëshkimit për një shkelje rrugore.
Njoftimi i plotë:
AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit 4 në Tiranë, vijojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie, me detyrë në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë, të dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, të parashkruara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
A. S, 20 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë
Xh. F, 23 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policise Nr. 4, Tirane. Drejtoria Rajonale Tiranë.
Hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari. Nga veprimet hetimore dyshohet se punonjësit e Policisë i kanë kërkuar dhe marrë një shumë prej 20.000 lekësh, në këmbim të mosndëshkimit për një shkelje rrugore.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
AMP mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe çdo shkeljeje të ligjit nga punonjësit e strukturave policore, duke garantuar reagim të vendosur dhe pa kompromis ndaj çdo akti që cenon integritetin e uniformës dhe besimin e publikut te Policia e Shtetit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.