MOSKË – Peskov: Rusia nuk ka plane të përdorë armë bërthamore
MOSKË, 1 tetor /ATSH-DPA/- Rusia nuk ka plane për të përdorur armë bërthamore, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Janë evropianët ata që po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia”, tha Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas tij, kjo po përdoret për të nxitur frikë dhe alarm në Evropë.
Peskov u bëri thirrje vendeve evropiane, të kontrollojnë emocionet dhe ta shohin situatën në mënyrë objektive.
“Përmendja e çfarëdo lloj kërcënimi është krejtësisht e papërshtatshme”, tha ai.
Peskov pranoi se Rusia ka dokumente zyrtare ushtarake, të cilat përcaktojnë qartë në çfarë rrethanash Rusia mund të përdorë lloje të caktuara armësh, përfshirë armët bërthamore.
Megjithatë, sipas tij, qëllimi i këtyre rregullave, është vetëm mbrojtja e territorit dhe e vetë ekzistencës së shtetit rus.
Disa ditë më parë, Rusia akuzoi NATO-n se po shkaktonte një “përshkallëzim të paprecedentë të situatës ushtarake dhe politike” rreth rajonit rus të Kaliningradit, në lidhje me një stërvitje ushtarake të NATO-s.
Kaliningradi është një territor rus i vendosur mes Polonisë dhe Lituanisë, i ndarë nga pjesa tjetër e territorit të Rusisë.
Në të njëjtën kohë, Moska deklaroi se ishte e gatshme të përdorte të gjitha forcat dhe mjetet ushtarake në dispozicion, përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj, në rast se vendet e NATO-s do të përpiqeshin të izolonin Kaliningradin nga pjesa tjetër e Rusisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.