☁️
Tiranë 20°C · Vranët 19 Shtator 2026
S&P 500 7,651 ▲0.17%
DOW 51,683 ▼0.18%
NASDAQ 26,523 ▲0.39%
NAFTA 96.08 ▼1.18%
ARI 4,425 ▲0.57%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1478 EUR/GBP 0.8585 EUR/CHF 0.9450 EUR/ALL 91.1717 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3945 EUR/TRY 55.9856 EUR/JPY 180.27 EUR/CAD 1.6055 EUR/USD 1.1478 EUR/GBP 0.8585 EUR/CHF 0.9450 EUR/ALL 91.1717 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3945 EUR/TRY 55.9856 EUR/JPY 180.27 EUR/CAD 1.6055
₿ CRYPTO
BTC $81,171 ▲ +0.03% ETH $2,636 ▲ +0.09% XRP $1.4292 ▲ +1.88% SOL $111.1400 ▼ -2.17%
S&P 500 7,651 ▲0.17 % DOW 51,683 ▼0.18 % NASDAQ 26,523 ▲0.39 % NAFTA 96.08 ▼1.18 % ARI 4,425 ▲0.57 % S&P 500 7,651 ▲0.17 % DOW 51,683 ▼0.18 % NASDAQ 26,523 ▲0.39 % NAFTA 96.08 ▼1.18 % ARI 4,425 ▲0.57 %
EUR/USD 1.1478 EUR/GBP 0.8585 EUR/CHF 0.9450 EUR/ALL 91.1717 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3945 EUR/TRY 55.9856 EUR/JPY 180.27 EUR/CAD 1.6055 EUR/USD 1.1478 EUR/GBP 0.8585 EUR/CHF 0.9450 EUR/ALL 91.1717 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3945 EUR/TRY 55.9856 EUR/JPY 180.27 EUR/CAD 1.6055
19 Sht 2026
Breaking
Ekonomia

“Trafiku dhe infrastruktura mbeten problem; Kontratat me garanci janë në rritje”

Flet Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar

Rritja e numrit të turistëve po shoqërohet edhe këtë sezon me probleme të përsëritura në trafik dhe infrastrukturë, të cilat vijojnë të penalizojnë eksperiencën e vizitorëve dhe lëvizjen drejt disa destinacioneve.

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, thotë se agjencitë e huaja evidentojnë pikërisht këto dy elemente ndër problematikat kryesore, ndërsa në disa raste, transfertat nga Aeroporti i Tiranës drejt zonave turistike kanë zgjatur disa orë.

Në të njëjtën kohë, turizmi i organizuar po vijon të zgjerohet dhe kontratat për vitin e ardhshëm janë mbyllur me rritje. Sipas z. Kasa, marrëveshjet e reja parashikojnë rreth 10% rritje si në volum, ashtu edhe në çmim, ndërsa polakët vijojnë të kryesojnë, të ndjekur nga çekët dhe francezët.

Si ka qenë deri më tani ecuria e sezonit veror? Muajt e pikut tashmë janë mbyllur, edhe pse sezoni, sipas kontratave, është zgjatur.

Ecuria deri tani është e mirë. Nëse flasim për numrat, ka një rritje. Mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë në të ardhura, pra nëse do të kemi më shumë të ardhura se vitin e kaluar dhe sa do të jetë kjo rritje.

Këtë do ta shohim në fund të sezonit, kur bëhet edhe një lloj bilanci.

Cili është profili i turistit që ka vizituar vendin këtë verë, në aspektin e mundësive apo sjelljes në konsum? Është një turist që shpenzon apo kursen?

Edhe këtë verë jemi tek ai profil turistësh që i përket nivelit të mesëm e poshtë, sa i takon mundësisë për të shpenzuar. Nuk e kemi ende luksin të kemi një profil turistësh me fuqi të lartë shpenzuese.

Nëse do të bënim një ndarje në përqindje, 60 për qind ose më shumë janë turistë “low cost”, pra turistë me buxhet të ulët, që duan të shpenzojnë pak.

Ata vijnë sepse Shqipëria është e lirë, por edhe për të zbuluar një vend të ri. Ka shumë prej atyre që njihen si “backpackers”, të cilët udhëtojnë shumë dhe nuk parapëlqejnë të kthehen dy apo tri herë në destinacione ku kanë qenë më parë, por zgjedhin të vizitojnë një vend të ri, siç mund të jetë Shqipëria.

Kjo është ajo kategori turistësh që nuk do të shpenzojë shumë, sepse përparësi ka eksplorimin me kosto sa më të ulët. Përveç kuriozitetit për të vizituar një destinacion të ri, Shqipëria vazhdon të tërheqë turistë pasi gëzon edhe një imazh të mirë dhe pozitiv, me disa pika të saj të forta, si kulinaria, mikpritja dhe natyra.

Turizmi i rërës dhe detit duket sikur, në raport me pjesën e brendshme të vendit, merr vlerësime më të ulëta. Pse ndodh kjo, sipas jush?

Bregdeti, në të gjithë botën, madje edhe në vendet më të zhvilluara, ka ngarkesë dhe nuk merr gjithmonë vlerësimin maksimal. Por në Shqipëri nuk është vetëm fluksi apo menaxhimi.

Problem janë edhe shërbimet, të cilat lënë për të dëshiruar dhe kjo ka bërë punën e vet në vlerësimet që marrim nga të huajt, sidomos në rrjetet sociale apo nëpër platforma.

Fillimisht pati pretendime se protestat ndikuan te turizmi. A mendoni se ky ndikim vazhdon ende, duke qenë se shifrat tregojnë për ecuri normale?

Në fillim pati ndikim, gjatë qershorit, kur ende nuk kuptohej mirë situata ose nuk kishte shumë informacion. Por më pas, ajo u kthye në rutinë dhe nuk pati ndikim të mëtejshëm. Pati rritje të numrit të turistëve dhe sezoni veror ka qenë normal.

Nga përshtypjet që merrni nga agjencitë e huaja, cilat janë problemet që marrin vlerësimet më negative nga turistët?

Dy janë përshtypjet kryesore negative: e para është infrastruktura dhe e dyta trafiku tepër i rënduar në rrugët tona. Sa i takon trafikut, gjatë kësaj vere na është dashur që, nga Aeroporti i Tiranës deri në Golem, të bëjmë transferta që kanë zgjatur edhe katër orë apo katër orë e gjysmë.

Bëhet fjalë për turistët e organizuar, pra ata që vijnë me fluturime charter. Përveç kësaj, një tjetër problem është shërbimi, ku ne shfaqim dobësi të theksuara. Mungesa e stafit të kualifikuar në këtë sektor është problem shumë i madh, që na penalizon.

Duke e ndarë si segment më vete, si ka qenë ecuria e turizmit të organizuar dhe cilat janë pritshmëritë për vitin tjetër? A janë lidhur kontratat e reja me garanci?

Turizmi i organizuar ka pasur rritje edhe këtë vit. Kontratat e reja janë mbyllur me rreth 10 për qind rritje për vitin tjetër. Flasim si në volum, ashtu edhe në çmim, pasi agjencitë e huaja kanë mirëkuptuar efektin e zhvlerësimit të euros, por edhe të rritjes së kostove.

Polakët janë gjithmonë në rritje dhe kryesojnë në këto kontrata. Pas tyre vijnë çekët. Nga ana tjetër, edhe francezët kanë rritje të konsiderueshme dhe kanë përshtypje të mira për eksperiencën në Shqipëri.

Gjatë këtij viti vihet re një tërheqje më e madhe e gjermanëve drejt Shqipërisë. A reflektohet kjo edhe në shifrat tuaja?

Në përgjithësi, gjermanët nuk janë turistë të organizuar. Ka rritje të numrit të tyre, por jo në formën e turizmit të organizuar. Ata përdorin një formulë me parapagim, një lloj “allotment”-i të sigurt. Parapaguajnë një shumë, pra rreth 30-50 për qind dhe më pas paguajnë në varësi të numrit të turistëve që sjellin.

Prej vitesh, Vlora, por edhe Jugu, mbeten të varura nga hapja e aeroportit të ri sa i takon turizmit të organizuar. Çfarë prisni për vitin tjetër ose, më saktë, çfarë kanë shprehur agjencitë e huaja me të cilat bashkëpunoni, duke pasur parasysh pasigurinë për nisjen e operimit?

Në Vlorë, agjencitë e huaja e kanë reduktuar numrin e kontratave me rreth 60 për qind, sepse e kanë të vështirë ta shesin si destinacion. Pa nisur funksionimin Aeroporti i Vlorës, shifrat do të mbeten modeste.

Arsyeja kryesore është se transferta nga Tirana zgjat shumë dhe turistët nuk duan të kalojnë orë të tëra në rrugë.

Nëse bëjmë një bilanc të bregdetit, cili destinacion qëndron në krye për vlerësimet pozitive dhe cili për kritikat?

Vlerësimi është i njëjtë si në vitet e mëparshme. Durrësi është më mirë, ndërsa Jugu është më keq. Edhe infrastruktura në Jug është më e rënduar, diçka që e penalizon.

Edhe Veriu ka shënuar numra në rritje dhe vlerësim të mirë, por e ka sezonin e shkurtër. Në Jug, por edhe në bregdet në përgjithësi, problem mbeten kantieret dhe vinçat mbi kokën e pushuesve, diçka që nuk na jep pikë pozitive.

Po ai që ne i referohemi si “turizëm patriotik”, që përfshin Kosovën dhe shqiptarët e trevave?

Edhe ai ka qenë në rënie dhe arsyet janë dy. Së pari, kanë zgjedhur alternativa të tjera, siç mund të jetë Greqia, por edhe vende të tjera. Së dyti, ka ndikuar zhvlerësimi i euros.

Si e prisni vjeshtën?

Turizmi i vjeshtës mendoj se do të jetë mirë, pasi që tani rezervimet janë në nivele të kënaqshme. Në vjeshtë, turizmi është më i qetë dhe ka edhe vlerësime më të mira.

Në tërësi, si kanë qenë çmimet këtë verë?

Çmimet kanë pasur rritje të lehtë, me rritje e pranueshme në kushtet e kostove më të larta. Nuk mund të flas për raste specifike, ku mund të shihet si abuzim, por flas në tërësi për sektorin.

Si e prisni në tërësi vitin 2026, tani që ka kaluar pjesa më e madhe e tij?

Mendoj se viti 2026 do të ketë të njëjtën ecuri si viti 2025, pra do të kemi rritje të moderuar.

LEXONI EDHE:

Vera 2026 rriti numrin e turistëve, por shtoi pikëpyetjet

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.