Muzika, zërat lirikë dhe koreografitë e baletit në mbrëmjen artistike “Tingujt e një nate vere”
Nga Julia Vrapi
“Tingujt e një nate vere” sjell një mbrëmje artistike, me në qendër muzikën, zërat lirikë dhe performanca baleti. Kjo mbrëmje artistike në Vlorë zhvillohet edhe si një nga momente e veçanta të aktiviteteve kulturore gjatë këtij sezoni, ku pjesë e saj do të jenë artistë të njohur lirikë, balerinë dhe Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një mbrëmje nën qiellin e verës, ku muzika, vallëzimi dhe emocioni bashkohen në një spektakël. Teatri “Petro Marko” në Vlorë shprehet për natë të veçantë vere.
“Me pjesëmarrjen e këngëtarëve lirikë, Orkestrës së TKOBAP dhe balerinëve të saj, publiku do të përjetojë magjinë e zërave të mrekullueshëm, tingujve hyjnorë dhe elegancës së baletit. Një udhëtim artistik mes melodive që prekin shpirtin, harmonive që zgjojnë emocionet dhe koreografive që sjellin në jetë bukurinë e artit skenik. “Tingujt e një nate vere”, një festë e muzikës dhe e artit, ku çdo tingull bëhet kujtim dhe çdo çast kthehet në magji. Ju presim të ndajmë së bashku këtë natë të veçantë vere!”, thuhet nga teatri i Vlorës për këtë mbrëmje artistike që do të zhvillohet në Lungomare- Shkolla e Marinës.
Mbrëmja artistike “Tingujt e një nate vere” vjen këtë mbrëmje e organizuar nga teatri “Petro Marko” me mbështetjen e Bashkisë Vlorë. Kjo mbrëmje e titulluar “Tingujt e një nate vere” gjithashtu kontribuon në gjallërimin e skenës kulturore lokale dhe në promovimin e Vlorës, si një hapësirë e rëndësishme artistike gjatë sezonit veror.
Artistët në mbrëmjen artistike
Mbrëmja artistike këtë të premte në Vlorë do të sjellë në skenë artistë të njohur, ku Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë nën drejtimin e mjeshtrit Oleg Arapi. Artistë të ftuar janë Josif Gjipali, Ardita Meni, Nina Muho dhe Renisa Laçka. Balerinë Anxhelo Muçollari dhe Sabina Maklekaj. Programi muzikor vjen me vepra shqiptare, por dhe të huaja. Pjesë nga J. Strauss, Puccini, Shostakovich, etj, janë pjesë e kësaj mbrëmje, por programi përmban dhe krijimtari nga autorë shqiptarë si nga Avni Mula.
Mjeshtri Oleg Arapi dirigjon këtë mbrëmje Orkestrën Simfonike të TKOB në vijim të aktivitetit të tij të pasur artistik. Përgjatë aktivitetit të tij ai ka dirigjuar koncerte me solistë shqiptarë dhe të huaj. Ka drejtuar formacione të ndryshme orkestrale në Avellino, Napoli , Salerno, Brindisi, Dibër të Madhe, Strugë, Prizren, Prishtinë, Sarajevë, në Katedralen Angleze, etj. Ka drejtuar koncerte me orkestra filarmonike në Poloni, Ukrainë, Ekuador, Pragë, Shenzhen Kinë, Mendoza Argjentinë, Kazan, Voronezh, Civitaniova në Itali, etj. Pak ditë më parë edhe koncerti në Tiranë për Ditën Botërore të Muzikës ishte nën dirigjimin e mjeshtrit Oleg Arapi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.