Punëdhënësit kërkojnë zbatim gradual të “Euro modelit”, Gjeltoshaj bindet në efektet pozitive
Unioni i Punëdhënësve do t'i kërkojë Qeverisë zbatim me faza të rritjes së pagave minimale të paralajmëruar për 1 janar; zv/kryeministri Nik Gjeltoshaj: "do të thotë nga 700 milionë deri në një miliard para në treg"; presidenti Milatoviq kërkon vlerësim të detajuar që standardi më i mirë të mos jetë në dëm të komunave.
Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi do t’i kërkojë Qeverisë zbatim gradual të “Euro modelit” dhe të rritjes së pagave minimale të paralajmëruar për 1 janar të vitit të ardhshëm, raporton portali malazez CdM duke cituar televizionin publik RTCG. Zëvendëskryeministri Nik Gjeltoshaj është i bindur se Qeveria do të zgjidhë të gjitha dilemat e biznesit dhe beson se “Euro modeli” do të jetë stimul për zhvillimin e ekonomisë. Ndërkohë, presidenti Jakov Milatoviq kërkon që të vlerësohen në detaje të gjitha përparësitë dhe mangësitë, në mënyrë që rritja e paralajmëruar e pagave përmes ndryshimeve në të ardhurat e vetëqeverisjeve lokale të jetë e qëndrueshme dhe standardi më i mirë jetësor të mos jetë në dëm të zhvillimit të komunave.
Biznesmenët e mbledhur në Unionin e Punëdhënësve do të ulen nesër në tryezë për të përcaktuar qëndrimin përfundimtar për rritjen e paralajmëruar të pagave dhe për të përgatitur propozimet për Qeverinë.
“Mendoj se pikërisht nevoja më e madhe është që për të gjitha këto të arrijmë së bashku një marrëveshje dhe të përcaktojmë, nëse është e mundur, zbatimin gradual. Askush nuk i shmanget nevojës që ky qëllim të përmbushet. Por, me kohë shtesë, atëherë kemi hapësirë që edhe shteti, nga ana e vet, ajo e të ardhurave, të pozicionohet në mënyrën e duhur, që të hyjnë në fuqi ligjet dhe antikorrupsioni dhe lufta kundër zonës gri, që punëdhënësit, të vetëdijshëm për detyrimet që tani i kanë përpara sa i përket fuqisë punëtore, të bëjnë përpjekje shtesë për përmirësimin e produktivitetit”, tha kryetari i Unionit të Punëdhënësve, Slobodan Mikavica.
Ndryshe nga biznesi, zv/kryeministri Nik Gjeltoshaj mendon se “Euro modeli” do të jetë stimul për zhvillimin e ekonomisë, e jo për mbylljen e bizneseve të veçanta.
“Llogari e shkurtër, kjo do të thotë nga 700 milionë deri në një miliard para në treg, të cilat, thekson ai, do të shkojnë në tregti, prodhim, turizëm. Jam privat, kam firmën time. Kam llogaritur se vitin e ardhshëm nga fitimi do të ndaj 45 mijë më shumë për punëtorët e mi. Kjo është investim në firmë. Në njerëz. Kështu e shoh unë. Mendoj se kështu duhet ta shohë edhe ekonomia”, thotë Gjeltoshaj.
Në mënyrë që Qeveria, ekonomia, por edhe komunat që do të mbeten pa një pjesë të të ardhurave të afrojnë qëndrimet, presidenti Jakov Milatoviq propozon që të vlerësohen në detaje të gjitha përparësitë dhe mangësitë e “Euro modelit”.
“Reformat duhet të jenë transparente, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme. Dhe sot do të shtoja, duhet të jenë të qëndrueshme edhe për komunat tona. Nuk duhet të vijmë në situatën që të dobësojmë aftësinë e vetëqeverisjeve lokale për të ofruar shërbime, për të mirëmbajtur infrastrukturën dhe për të financuar projektet zhvillimore. Nuk na duhet zgjedhja mes standardit më të mirë jetësor të qytetarëve dhe zhvillimit të komunave malazeze. Na duhet një zgjidhje që do të mundësojë edhe njërën edhe tjetrën”, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Sa i përket mënyrës se si do të reflektohet zbatimi i “Euro modelit” në zhvillimin e komunave, Bashkësia e Komunave do të ketë një analizë më precize javën e ardhshme.
“Komunat bregdetare kanë treguar diku qëndrimin se ‘Euro modeli’ nuk do t’i godasë në masë të rëndësishme. Ne kemi propozuar diku në një adresim drejtuar kryeministrit që ajo përqindje prej 89% të mbetet e pandryshuar kur bëhet fjalë për komunat veriore”, theksoi Radosh Zhugiq nga Bashkësia e Komunave.
Edhe në Bashkësinë e Komunave besojnë në marrëveshjen me Qeverinë dhe se do të gjejnë një model të qëndrueshëm, në mënyrë që standardi më i mirë jetësor të mos jetë në dëm të zhvillimit të komunave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.