NATO riafirmon përkushtimin ndaj KFOR-it dhe stabilitetit rajonal
NATO ka riafirmuar përkushtimin e saj ndaj misionit të KFOR-it dhe stabilitetit rajonal, pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit, të mbajtur më 14 tetor në selinë e KFOR-it në Prishtinë, shkruan Telegrafi.
Sipas njoftimit të NATO-s, gjeneralmajori Roberto Vergori nga Italia ka marrë komandën e KFOR-it, duke pasuar gjeneralmajorin Özkan Ulutaş nga Turqia. Ceremoninë e drejtoi komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali George M. Wikoff, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Admirali George M. Wikoff vlerësoi udhëheqjen dhe shërbimin e gjeneralmajorit Özkan Ulutaş gjatë dy mandateve të tij si komandant i KFOR-it, duke veçuar angazhimin me komunitetet anembanë Kosovës dhe punën për forcimin e marrëdhënieve me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
“Ai e bëri këtë me iniciativë, aftësi për t’u përshtatur dhe përkushtim vetëmohues ndaj misionit dhe atyre që kishte nën komandë”, deklaroi admirali George M. Wikoff, i cili vlerësoi gjithashtu sakrificat e personelit të KFOR-it dhe të familjeve të tyre.
Duke folur për kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, admirali George M. Wikoff theksoi procesin e optimizimit të misionit për rritjen e efektivitetit të tij. Ai shprehu besim në udhëheqjen e gjeneralmajorit Roberto Vergori dhe riafirmoi mbështetjen e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli.
“Roberto, faleminderit që e pranove këtë përgjegjësi”, tha admirali George M. Wikoff.
Gjeneralmajori Özkan Ulutaş theksoi se KFOR-i kishte mbetur i përqendruar në përmbushjen e mandatit të tij
“Gjatë gjithë kohës, KFOR-i mbeti plotësisht i përqendruar në një qëllim të vetëm: të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin tonë të kahershëm të OKB-së. KFOR-i gjithashtu vazhdoi të mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi gjeneralmajori Özkan Ulutaş.
Ndërkaq, gjeneralmajori Roberto Vergori theksoi se pjesëtarët e KFOR-it “mbeten thellësisht të përkushtuar ndaj përmbushjes së mandatit tonë të OKB-së, duke kontribuar në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën brezat e rinj mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit”.
Në komunikatë, NATO vlerëson se situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht stabile dhe ka vazhduar të përmirësohet.
Aleanca rikujton se në qershor njoftoi optimizimin e pranisë dhe dislokimit të KFOR-it, për të siguruar që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e detyrave të tij. Ky proces është në vazhdim dhe përfshin përshtatjen graduale dhe të matur të pranisë, dislokimit dhe numrit të trupave gjatë vitit pasues.
Sipas NATO-s, procesi bazohet në kushtet në terren dhe mund të kthehet prapa nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë këtë
“Ballkani Perëndimor është rajon me rëndësi strategjike për NATO-n. Përkushtimi i Aleancës ndaj stabilitetit rajonal mbetet i palëkundur”, thuhet në komunikatë.
NATO thekson se KFOR-i vazhdon të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij të kahershëm të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999.
Misioni e përmbush këtë detyrë në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, sipas roleve të tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë./Telegrafi/.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.