Ndahet nga jeta Andy Taylor, kitaristi i grupit Duran Duran
– Andy Taylor, kitaristi dhe bashkautori i disa prej hiteve më të njohura të grupit britanik Duran Duran, është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e prostatës, shkruan “The Guardian”.
Lajmi u konfirmua të mërkurën në një deklaratë të përbashkët të familjes dhe ish-kolegëve të tij, të cilët njoftuan se muzikanti kishte ndërruar jetë më 23 nëntor, në shtëpinë e tij, i rrethuar nga familjarët.
I lindur në vitin 1961 në Angli, Taylor nisi të luante në kitarë në moshën 11-vjeçare dhe iu bashkua Duran Duran në vitin 1980, duke kontribuar në suksesin ndërkombëtar të grupit që shënjoi muzikën pop të viteve ’80.
Stili i tij karakteristik ndërthurte elementet e muzikës rock me tingujt elektronikë të grupit, duke i dhënë një identitet të veçantë këngëve të tilla si “Rio”, “Hungry Like the Wolf” dhe “Girls on Film”.
Në vitin 1985, së bashku me basistin John Taylor, këngëtarin Robert Palmer dhe bateristin Tony Thompson, ai krijoi grupin The Power Station, përpara se të ndiqte një karrierë solo dhe të bashkëpunonte me artistë të njohur, mes të cilëve Rod Stewart.
Taylor u ribashkua me formacionin origjinal të Duran Duran në fillim të viteve 2000, për t’u larguar sërish në vitin 2006.
Në vitin 2022, kur Duran Duran u përfshi në Rock & Roll Hall of Fame, muzikanti bëri publik diagnostikimin me kancer metastatik të prostatës, sëmundje nga e cila vuante prej vitit 2018.
Anëtarët e grupit nderuan kujtimin e kolegut të tyre, duke theksuar rolin vendimtar të tij në formësimin e identitetit muzikor të Duran Duran dhe në suksesin botëror të grupit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.