Vrasja e “Papagallit” në Greqi, zbardhet dëshmia e bashkëpunëtorit: Kisha frikë t’i thoja jo
Media greke Zougla publikon dëshminë e 48-vjeçarit të arrestuar si bashkëpunëtor i dyshuar në vrasjen e Niko Gavanozit, i njohur me nofkën "Papagalli".
Media greke “Zougla” ka publikuar dëshminë e 48-vjeçarit grek, të arrestuar si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e Niko Gavanozit, i njohur me nofkën “Papagalli”, siç njofton BalkanWeb.
Para hetuesve, 48-vjeçari ka pretenduar se nuk kishte dijeni për planin e vrasjes dhe se u përfshi në ngjarje për shkak të një borxhi dhe frikës ndaj njërit prej autorëve të dyshuar.
Sipas dëshmisë së tij, personi që e përfshiu i kishte bërë më herët një shërbim — kishte ndërhyrë me disa telefonata që ai të rikuperonte një shumë parash në emër të një klienti të tij në transportin detar. Për këtë ishte rënë dakord një pagesë prej 2.500 eurosh, e cila nuk ishte dhënë, ndaj ai ndihej borxhli.
Ai ka deklaruar se ndërhyrja që iu kërkua ishte të rregullonte një motoçikletë dhe se nuk e dinte që do t’i duhej të çonte dikë diku. Natën e vrasjes, i dyshuari kryesor e telefonoi dhe këmbënguli që të shkonte personalisht, dhe atje i thanë t’i çonte në Kareas. Ai mendoi se po shlyente detyrimin dhe se motoçikleta ishte e vjedhur dhe donin ta largonin.
48-vjeçari ka këmbëngulur se marrëdhënia me të dyshuarin ishte vetëm profesionale, se e dinte që ai mblidhte para dhe kujdesej që borxhet të shlyheshin, ndonjëherë edhe me dhunë, por nuk e imagjinonte të përfshirë në vrasje: “Nuk ishte lloji i personit kundër të cilit shkon. Kisha frikë t’i thoja jo.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.